Ky shtet e bën të paligjshme që shefat të kontaktojnë stafin jashtë orarit të punës

Ky shtet e bën të paligjshme që shefat të kontaktojnë stafin jashtë orarit të punës

Qeveria e Portugalisë ka prezantuar një ligj të ri që e bën të paligjshme që kompanitë të kontaktojnë stafin jashtë orarit të punës, një nga një sërë masash të reja për të rregulluar punën në distancë dhe për të vendosur një ekuilibër punë-jetë të qytetarëve në vazhdën e pandemisë së Coronavirusit.

Bizneset do të përballen me gjoba nëse u dërgojnë emaile punonjësve jashtë orarit të punës dhe do të detyrohen të paguajnë shpenzimet e shtëpisë të bëra gjatë kohës që punonjësit e tyre punojnë nga shtëpia, duke përfshirë faturat e internetit dhe energjisë elektrike, shkruan Euronews.

Por, ndryshimet në ligjet e punës të Portugalisë kanë kufizime: ato nuk do të zbatohen për kompanitë me më pak se dhjetë punonjës.

Stafit me fëmijë do t’i jepet gjithashtu e drejta ligjore për të punuar nga shtëpia derisa fëmijët të mbushin tetë vjeç, pa pasur nevojë që ta aprovojë dikush nga kompania. Kushtet e reja vlejnë vetëm për kompanitë me 10 ose më shumë punëtorë.

“Puna në distancë mund të jetë një “ndryshues i lojës” nëse përfitojmë nga avantazhet dhe reduktojmë disavantazhet,” u shpreh ministrja e Punës, Ana Mendes Godinho.

Portugalia ishte vendi i parë evropian që ndryshoi rregullat e tij të punës në distancë si rezultat i drejtpërdrejtë i pandemisë COVID-19 në janar të këtij viti.

Rregullat e përkohshme e bënë punën në distancë një opsion të detyrueshëm – me disa përjashtime – dhe i detyronin punëdhënësit të siguronin mjetet e nevojshme për kryerjen e punës në shtëpi./Insajderi.com