Rrjedhja e të dhënave të një banke zvicerane ka zbuluar se aty kishin llogari bankare kriminelë, mashtrues dhe politikanë të korruptuar
Një rrjedhje masive e të dhënave nga një prej bankave më të mëdha private në botë, Credit Suisse, ka ekspozuar pasurinë e fshehur të klientëve të cilët janë të përfshirë në trafik droge, shpëlarje parash, korrupsioni, tortura njerëzore e krime të tjera të kësaj natyre.
Rrjedhja zbuloi detaje për llogaritë e 30 mijë klientëve të bankës nga e gjithë bota. Shuma totale është diku rreth 100 miliardë të frangave zvicerane (96 miliardë euro)
Rrjedhja dëshmon edhe njëherë dështimin e bankës për kujdesin e domosdoshëm, përkundër kërkesave të vazhdueshme me dekada për t’u pastruar nga klientët e dyshimtë dhe fondet e paligjshme.
Pas rrjedhjes, mund të dëshmohet se si kjo bankë ka hapur dhe ka mirëmbajtur llogari për persona të dyshimtë dhe të rrezikshëm nga e gjithë bota.
Kontot që zbulohen janë si për shembull të një trafikanti me qenie njerëzore në Filipine, një pareliu të Hong Kong-ut, i burgosur për ryshfet, një miliarderi që kishte porositur vrasjen e të dashurës së tij, një yll muzike libaneze, drejtues që plaçkiten kompanitë e naftës në Venezuelë dhe gjithashtu politikanë të korruptuar nga Egjipti dhe Ukraina.
Gjithashtu, është një llogari në pronësi të Vatikanit që del se u përdor për të shpenzuar 350 milion euro në një investim të dyshimtë për mashtrim në një pronë në Londër, rast që është në gjyq me disa të pandehur, përfshirë edhe një kardinal.
Fillimisht informatat me të dhëna i erdhën gaztës gjermane Süddeutsche Zeitung.
“Mendoj se ligjet për privatësi të bankave në Zvicër janë të pamoralshme”, tha burimi që dërgoi të dhënat.
“Preteksti për të mbrojtur privatësinë financiare është një arsyetim bosh që mbulon rolin e turpshëm të bankave në Zvicër si bashkëpunëtore për mashtrues”.
Nga Credit Suisse kanë thënë se ligjet strikte të Zvicrës për privatësinë bankare ua kanë pamundësuar të komentojnë lidhur me çështje që kanë të bëjnë me klient individual.
“Credit Suisse fuqishëm refuzon akuzat dhe konkluzionet e dala rreth praktikave biznesore”, thuhet në deklarimin e bankës, duke argumentuar se çështjet e zbuluara nga reporterët janë në baza “të informacioneve selektive të nxjerra nga konteksti, duke bërë interpretime tendencioze për modelin biznesor të bankës”.
Nga banka gjithashtu thonë se akuza të tilla janë bërë qysh moti, dhe datojnë kur “ligjet, praktikat dhe pritjet për institucionet financiare ishin shumë më ndryshe se që janë tani”.
Nga të dhënat e dala nga rrjedhja shihet se disa llogari bankare kanë qenë të hapura nga vitit 1940, derisa dy të tretat e llogarive datojnë nga viti 2000.
Disa prej tyre kishin qëndruar të hapura deri në dekadën e fundit, kurse ka të tjera që vazhdojnë të jenë të hapura.
- Credit Suisse ka mbi 1.6 trilionë franga asete me të cilat menaxhon dhe është një nga liderët e mëdhenj në Zvicër, duke mbetur mbrapa vetëm në raport me UBS-në. Ka së paku 50 mijë punëtorë, duke përfshirë një numër të madh prej tyre në Zvicër, ku banka ka edhe zyrat qendrore.
- Megjithatë, diku rreth 3500 “menaxherët për raporte” që u shërbejnë klientëve të mëdhenj, janë të shpërndarë nëpër botë. Llogaritë që kanë rrjedhur janë të lidhura me klientë të bankës që jetojnë në 120 vende, por që ka një koncentrim në shtetet në zhvillim.
- Vendet me numrin më të madh të klientëve në këto të dhëna janë – Venezuela, Egjipti, Ukraina, Tajlanda. Shtete që kanë telashe me elitat politike e ato të biznesit meqë fshehin vazhdimisht para në parajsa fiskale.
Tajmingu i rrjedhjes nuk ka mundur ta gjejë më keq Credit Suisse-n, meqë tash rishtazi ka qenë e përfshirë në skandale. Muajin e kaluar, drejtori Antonio Horta-Osorio (një gjeni i sistemeve bankare) kishte thyer dy herë rregulloren kundër COVID-19, ndaj u desh të largohej.
Dhe kjo mbyllte një vit të paprecedentë polemikash, pasi banka u përfshi në kolapsin e firmës financiare të zinxhirit të furnizimit Greensill Capital dhe fondit mbrojtës amerikan Archegos Capital dhe u gjobit me 350 milionë euro për rolin e saj në një skandal kredie në Mozambik.
Gjithashtu, po këtë muaj, Credit Suisse u bë banka e parë e madhe zvicerane në histori të vendit, që u ballafaqua me akuza për vepra penale, që përfshinin ndihmën për shpëlarje parash të tregtisë me kokainë në llogari të mafies bullgare.
Megjithatë, pasojat e rrjedhjes fare lehtë mund ta kalojnë fatin e një banke dhe ta fusin në një krizë vetë shtetin e Zvicrës, që ende mbanë disa nga ligjet me privatësi më të madhe bankare në botë. Bankat zvicerane kanë asete prej 7.9 trilionë frangash dhe afërsisht gjysma e tyre janë para të klientëve të huaj.
Disa nga klientët kriminelë dhe mashtrues të bankës, të zbuluar nga rrjedhja – dhe më parë
Ronald Li Fook-shiu, ish-drejtor i bursës në Hong Kong, një nga njerëzit më të pasur atje. Ai njihej me nofkën “kumbara i bursës”. Por Li njihet gjithashtu edhe për përfundimin e turpshëm të karrierës së tij, meqë kishte bërë burg të sigurisë së lartë, pasi u kuptua që u merrte kompanive ryshfet për t’i renditur më lartë në bursë. Përkundër kësaj, ai ishte lejuar të hapte llogari ku kishte deponuar 59 milionë franga.
Rodoljub Raduloviq, mashtruesi serb i letrave me vlerë, i identifikuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, as këtij nuk i kishte dalur problem të hapte dy llogari bankare në Credit Suisse.
Eduard Seidel, gjermani i dënuar për ryshfet në vitin 2008.
Stefan Sederholm, suedezi i përfshirë në trafikimin e qenieve njerëzore. I dënuar me burgim të përjetshëm. Kishte llogari në Credit Suisse edhe dy vjet e gjysmë pasi kishte marrë dënimin.
Ferdinand dhe Imelda Marcos. Diktatori filipinas dhe gruaja e tij kishin llogari të hapur në Credit Suisse, ku kishin deponuar mbi 10 miliardë para të vjedhura nga populli. Madje banka edhe e kishte ndihmuar këtë diktator të hapë llogari me emra fals – “Uilliam Saunders” dhe “Jane Ryan”, ishin emrat. Në vitin 1995 gjykata e Cyrihut kishte urdhëruar bankën që të kthente 500 milionë franga të vjedhura prapa te shteti i Filipineve.
Credit Suisse kishte edhe një tjetër rast që për nga shkalla i bën konkurrencë Ferdinand Marcos dhe gruas së tij. Ata i kishin ndihmuar djalit të diktatorit brutal Nigerian Sani Abacha, që të hapte llogari ku ishin deponuar 214 milionë dollarë. Besohet se Abacha kishte vjedhur nga populli brenda 6 vjetësh diku rreth 5 miliardë dollarë.
Jo në këso përmasa, por rrjedhja e fundit zbulon politikanë të tjerë që kanë hapur konto në këtë bankë dhe që njihen për korrupsion dhe aktivitete të tjera kriminale.
Një nga ata është edhe Pavlo Lazarenko, kryeministër i Ukrainës mes viteve 1997 dhe 1998. Më vonë ishte zbuluar se Lazarenko kishte akumuluar pasuri rreth 200 milionë dollarë duke kërcënuar bizneset përveç nëse ndanin fitimin me të. Ai kërkonte 50 për qind të fitimit.
Banka i kishte hapur llogari edhe djemve të diktatorit të Egjiptit, Hosni Mubarak, Alaa dhe Gamal, të cilët kishin ndërtuar perandori të biznesit në Egjipt.
Tajkuni Hussein Salem, është një tjetër i afërm me Mubarak, që banka i kishte hapur llogari për të derdhur milionat e vjedhur nga tenderët.
Gjithashtu, edhe spiunit të Mubarak-ut, Omar Suleiman. Ai kishte një llogari me 63 milionë franga.
Klient i bankës ishte edhe Khaled Nezzar, një ish-ministër algjerian i mbrojtjes. Ai kishte një llogari me dy milionë franga. Llogaria kishte mbetur e hapur, përkundër se ai ishte arrestuar.
Në këtë bankë nga rrjedhja del se llogari kanë pasur edhe zyrtarët venezuelas, Roberto Rincón Fernández dhe Abraham Shiera Bastidas, të cilët bënin para duke u marrë kompanive të naftës ryshfet në këmbim të tenderëve.
Gjithashtu edhe tre zyrtarë të tjerë venezuelas që kishin lidhje me industrinë shtetërore të naftës. Bëhet fjalë për Fernando Ardila Rueda, Nervis Villalobos Cárdenas, dhe Luis De Léon Perez. Të gjithë bashkë kishin mbi 100 milionë franga në kontot e tyre në Credit Suisse./Insajderi.com