Lëvizjet e klubeve të mëdha europiane në tregun kinez

Lëvizjet e klubeve të mëdha europiane në tregun kinez

Barcelona është klubi i radhës në futbollin europian që planifikon të bëjë investime në Kinë falë mbështetjes së presidentit të Kinës, Xi Jinping, për të revolucionuar futbollin në vend.

Në Kinë është hapur një kompleks prej 4 milionë eurosh me një shkollë futbolli, një dyqan të klubit të Barcelonës dhe një fanzone në ishullin e Hainan.

Për Barcelonën, zhvillimi në Kinë do të jetë vendimtar për të arritur objektivin për të gjeneruar 1 miliard euro brenda vitit 2021. Në fund të sezonit 2015-2016 kjo shifër ishte 679 milionë euro.

Shumë kompani kineze janë vënë në lëvizje, duke treguar mbështetjen e tyre për planet e qeverisë me sponsorizimin e disa klubeve europiane dhe duke sjellë në kampionatin vendas trajnerë europianë. Megjithatë, në një vend ku kufiri midis biznesit dhe politikës është i paqartë, mbetet e vështirë për klubet europiane që të gjejnë partnerët e duhur.

Në dy vitet e fundit, investitorët kinezë kanë shpenzuar më shumë se 2 miliardë dollarë për blerjen e aksioneve në klube të ndryshme europiane, por këto shpenzime janë kufizuar nga kontrollet mbi kapitalet në dalje nga ana e qeverisë së Pekinit.

Edhe Bajerni i Mynihut dhe Wolfsburg-u kanë hapur zyra respektivisht në Shangai dhe në Pekin, ashtu siç ka bërë edhe Reali i Madridit, Manchester City dhe Manchester United.

Klubet e kanë të qartë se kanë nevojë të jenë të pranishme në Kinë, dhe jo vetëm në platformat e rrjeteve sociale.

Në anën tjetër, Juventus ka si objektiv për të investuar në një startup kinez, mbi të gjitha me synimin e shtimit të fansave në Azi.

Ana negative e gjithë kësaj është që pjesa më e madhe e konsumatorëve nuk janë të predispozuar që të paguajnë shuma të mëdha për futbollin. Pirateria është e pasur me transmetime ilegale.

Por prania krijon treg. Në rastin e Wolfsburg-ut, 16 për qind e të ardhurave të klubit vijnë nga jashtë Gjermanisë, pjesa më e madhe e të cilave nga Kina. Me hapjen e një zyre përfaqësuese në Pekin, klubi shpreson që ta zgjerojë këtë biznes. Pjesë e rëndësishme e këtij suksesi i takon Volkswagen-it (pronarët e klubit), duke parë popullaritetin që kanë në Kinë.