Kanë përfunduar 70 për qind e punëve në kuadër të renovimit të stadiumit të Prishtinës dhe ai pritet të jetë i gatshëm në muajin shtator të këtij viti.
Përmes një komunikate për medie, Ministria e Sportit ka bërë të ditur se për renovimin e stadiumit të Prishtinës po punohet me intensitet të shtuar, raporton Insajderi.
“Inxhinieri i firmës kontraktuese u shpreh se po punohet me intensitet të shtuar, dhe sipas tij, deri me tani janë kryer rreth 70% e punimeve”, njofton komunikata e ministrisë.
Ministri Kujtim Shala, i shoqëruar edhe nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, kanë inspektuar sot punimet që po zhvillohen në Stadiumin e Prishtinës.
Ministri u shpreh shumë i kënaqur me cilësinë dhe dinamikën e punimeve, dhe shtoi se ky është lajm i jashtëzakonshëm për futbollin e Kosovës, sidomos për kombëtaren, meqë shpejt këtu pritet që te zhvillohen ndeshjet kualifikuese.
Shala po ashtu u shpreh se pas plotësimit të kritereve të kërkuara nga UEFA, dhe pas punëve shtesë që kanë dalë si rezultat i këtyre kritereve për plotësimin e kategorisë së katërt, punimet tanimë po zhvillohet shumë mirë. /Insajderi.com