Altin Lala: Ajax, PSV dhe Feyenoord e duan Rashicën

Altin Lala: Ajax, PSV dhe Feyenoord e duan Rashicën

Milot Rashica po kalon një formë mjaftë të mirë tek skuadra Vitesse duke bërë që ai të tërheqë vëmendjen e disa klubeve.

Në lidhje me ofertat ndaj tij, vetë menaxheri i tij Altin Lala, ka treguar për emrat e disa skuadrave të mëdha që interesohen për kosovarin.

“Në fakt ka shumë interesime, ka shumë klube që e vëzhgojnë dhe natyrisht gjithçka është në dorën e Vitesses. Megjithatë, Miloti nuk do të nxitohet dhe mendoj se është në të mirë të tij të shkojë në një klub ku të vazhdojë të rritet, të mësojë dhe të luajë”, ka deklaruar Lala në një intervistë për gazetën “Sport Ekspres”.

Lala nuk ka hezituar të tregoj për ofertat nga kampionati anglez dhe ai gjerman por edhe nga Holanda.

“Ka oferta nga shumë kampionate, edhe Anglia e Gjermania, edhe nga Holanda, ku Ajax dëshironte ta blinte që në janar, ndërsa tani interesohen edhe Feyenoordi e PSV-ja, por siç e thashë, duhet kujdes dhe pak durim”, ka thënë Lala.

Lala ka folur për interesimin e Ajaxi-it duke thënë se një kalim tek ky klub do të ishte një hap shumë i mirë për Rashicën pasi Ajaxi është një klub perfekt për të rinjtë.

“Ajaxi një zgjedhje e mirë? Ajaxi është një klub perfekt për të rinjtë. Edhe financiarisht mund ta kënaqë Vitessen, sepse duhet pasur parasysh që ofertat brenda Holandës janë ndryshe nga ato prej Anglisë, për shembull, por Ajaxi është një emër i madh, që mund të ofrojë edhe lojtarë në këmbim, apo një përqindje në rastin e rishitjes”, ka përfunduar ish-kapiteni i Shqipërisë./Insajderi.com