Presidenti i ri i Francës, Emmanuel Macron ka zbuluar edhe emrat e kabinetit të tij qeveritar, tejet të balancuar në përputhje me angazhimet e ndërmarra në fushatë, teksa gjysma, 11 nga 22 postet ministrore, u janë besuar femrave.
Sylvie Goulard do të jetë ministrja e re e Mbrojtjes në Francë, ndërsa kampionja olimpike e skermës, Laura Flessel do të drejtojë dikasterin e Sporteve. Bruno Le Maire do të jetë ministri i Ekonomisë, ndërsa Gerard Collomb ka marrë një detyrë të vështirë në krye të Ministrisë së Brendshme, me François Bayrou që merr çelësat e Ministrisë së Drejtësisë.
Vendimi i Macron për të futur në kabinet figura nga i gjithë spektri politik francez është përmbushur gjithashtu, pasi Le Maire është një konservator i moderuar, Collomb ishte kryebashkiaku socialist i Lionit, ndërsa Bayrou është një veteran i qendrës.
Rreth 170 zyrtarë të zgjedhur nga e djathta u kritikuan më herët nga qindra ligjvënës pasi nënshkruan një deklaratë mbështetjeje ndaj Macron. Njëri prej tyre akuzonte Macronin se po “minonte” terrenin politik në vend.
Disa emërime të tjera ministrore përfshijnë Jean-Yves Le Drian, ish-ministër i Mbrojtjes i presidentit François Hollande, që tashmë do të bëhet ministër i Jashtëm, ndërsa Nicolas Hulot, një ambientalist i njohur vihet në krye të Ministrisë së Ekologjisë.
Mbështetësi më i zjarrtë i Macron dhe menaxher i fushatës së tij, Richard Ferrand i është dhënë portofoli i Kohezionit Territorial.
Në krye të Shëndetësisë është emëruar Agnes Buzyn; në krye të Punës, Murielle Penicaud; si ministër i ri i Çështjeve Dixhitale është emëruar Françoise Nyssen; për Edukimin kombëtar do të kujdeset Jean-Michel Blanquer, ndërsa në krye të Agrikulturës dhe Ushqimit do të jetë Jacques Mezard.
Njoftimi i përbërjes së kabinetit qeveritar u shty pasi kandidatët iu nënshtruan “vettingut” për deklaratat e tyre në tatim-taksa dhe ndonjë konflikt të mundshëm interesi.