Familja e Guardiolës ndodhej në Manchester Arena kur ndodhi sulmi

Familja e Guardiolës ndodhej në Manchester Arena kur ndodhi sulmi

“Mundo Deportivo” bën me dije se bashkëshortja e Pep Guardiola-s së bashku me dy vajzat ishin në Manchester Arena mbrëmjen e djeshme kur një kamikaz vrau 22 persona dhe plagosi 56 të tjerë, mes viktimave edhe fëmijë.

Mijëra të rinj ishin duke ndjekur koncertin e yllit amerikan të pop-it Ariana Grande kur ndodhi ngjarja makabre.

Bashkëshortja Cristina Serra me vajzat Valentina dhe Maria janë jashtë rrezikut për jetën, por është e kuptueshme tronditja që shkakton një ngjarje e tillë.

46-vjeçari Guardiola do të nisej të martën në një udhëtim në Abu Dhabi për t’u takuar me pronarët e City-t për të folur mbi planet për sezonin e tij të dytë në drejtimin e “Qytetarëve”. Nuk dihet nëse trajneri spanjoll është nisur.

Ndërkohë në faqen e tij zyrtare në Twitter Pep ka postuar këtë mesazh sot në mëngjes: “Jam i shokuar. Nuk mund ta besoj atë që ka ndodhur mbrëmë. Ngushëllimet e mia më të thella për familjet dhe miqtë e viktimave”.

Man City dhe kushërinjtë e tyre të Man United kanë shprehur ngushëllimet në respekt të viktimave të sulmit, duke e përshkruar si “ngjarjen më të tmerrshme” që qyteti ka përjetuar, transmeton Telesport.al.

Në faqen zyrtare të tij, klubi i City-t shkruan: “Me trishtim të madh mësuam për ngjarjen e tmerrshme që ndodhi në Arena. Zemrat tona janë me të gjithë të prekurit dhe me shërbimet e urgjencës së qytetit tonë”.

“Do të doja të shprehja ngushëllimet e mia ndaj familjeve të viktimave. Është një ditë e trishtuar për qytetin e mrekullueshëm të Mançesterit. #Unity”, shkruan kapiteni Vincent Kompany, të cilit i bashkohen edhe mesazhet e ngushëllimit të shokëve të skuadrës./Insajderi.com