Trump: Izraelitët dhe palestinezët “të gatshëm për paqen”

Trump: Izraelitët dhe palestinezët “të gatshëm për paqen”

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi sot se udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë janë “të gatshëm të arrijnë paqen”.

Trump i bëri komentet gjatë një fjalimi në muzeun e Izraelit ku ndodhej së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu.

Presidenti zhvilloi bisedime me Netanyahu dje dhe u takua sërish sot, pas një vizite të shkurtër në Bregun Perëndimor për një takim prej një ore me Presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas.

“Ne e dimë që paqja është e mundur nëse hedhim mënjanë dhimbjet dhe mosmarrëveshjet e së kaluarës dhe angazhohemi të zgjidhim përfundimisht krizën që është zvarritur për gati gjysmë shekulli”, tha Trump në fjalimin e tij në muze, duke shtuar se izraelitët dhe palestinezët” mund të arrijnë një marrëveshje”.

Por në deklaratën e presidentit amerikan nuk përmendej asnjë nga ato që janë çështje kryesore për palestinezët si “pushtimi” apo “zgjidhja me dy shtete”.

Aaron David Miller, i cili ka shërbyer si negociator për SHBA-në për Lindjen e Mesme gjatë administratave republikane dhe demokrate, shkroi në Twitter se “asnjë president amerikan nuk ka shprehur kaq shumë besim në një marrëveshje paqeje që i jep fund konfliktit kur kushtet për sukses janë shumë të vakëta”.

Më herët gjatë ditës së sotme, duke folur përkrah presidentit Trump, udhëheqësi palestinez Abbas tha se problemi thelbësor për palestinezët është pushtimi nga Izraeli, ndërtimi i vendbanimeve si dhe dështimi i Izraelit për të njohur Palestinën.

“Problemi nuk është judaizmi, por pushtimi”, tha ai.

Mahmoud Abbas ritheksoi gatishmërinë për të pranuar një zgjidhje me dy shtete në kufijtë e vitit 1967, përcjell gazeta-shqip.

Presidenti amerikan arriti në Izrael pas një vizite dyditëshe në Arabinë Saudite, ku Trump tha se ishte siguruar nga Mbreti Salman se Riadi dëshiron paqe midis Izraelit dhe Palestinës.