NATO zyrtarisht pjesë e koalicionit anti-ISIS

NATO zyrtarisht pjesë e koalicionit anti-ISIS

Aleanca ushtarake e NATO-s bëhet zyrtarisht pjesë e koalicionit ndërkombëtar kundër IS-it. Stoltenberg e quan këtë hap “mesazh të fortë politik”.

NATO vendos të zgjerojë luftën e saj kundër terrorizmit me kërkesë të SHBA-së. Në samitin e NATO-s  në Bruksel, të enjten (25.05) ku për herë të parë merr pjesë edhe presidenti amerikan, Donald Trump, NATO vendos futjen zyrtarisht në koalicionin botëror kundër të ashtuquajturit “Shteti Islamik”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u shpreh se ky është “një mesazh i fortë politik”. Me këtë NATO demonstron unitet në luftën kundër terrorizmit. Konkretisht, kjo do të thotë për NATO-n zgjerim të misioneve të avionëve të përgjimit, AVACs-, të cilët startojnë nga Turqia për të vrojtuar hapësirën mbi Siri e Irak. Tani ata do të jenë më gjatë në misione të tilla  – si për të furnizuar në ajër, avionët e koalicionit, po ashtu edhe për të dirigjuar avionët e koalicionit anti IS, por për sa kohë që këta nuk hedhin bomba.

Rusia – pjesë e diskutimeve

Në axhendën e krerëve të shteteve dhe qeverive të aleancës në samitin e Brukselit, do të jetë edhe Rusia. Stoltenberg u shpreh, se Rusia është gjithmonë në axhendën e NATO-s. “Një nga arsyet, se pse ne investojmë më shumë në mbrojtjen e përbashkët, se pse e rrisim prezencën e aleancës në Lindje, është përgjigjja ndaj sjelljes agresive të Rusisë, siç e kemi parë në Ukrainë”, citon agjencia gjermane e lajmeve, dpa, Stoltenberg. Po ashtu në samitin e NATO-s pritet të miratohet edhe një koncept për shpërndarjen e përgjegjësive brenda aleancës.