Londra u trondit të shtunën nga dy sulme terroriste, nga të cilat vdiqën shtatë persona dhe u lënduan 48 të tjerë, ndërsa prej tyre 21 raportohet të jenë në gjendje kritike.
Tre persona që përshkruhen me ‘origjinë mesdhetare’ raportohet se para sulmit kishin bërtitur “kjo është për Allahun” pasi u futën në zonën e këmbësorëve në Urën në Londër, raporton Dailymail.
Sulmuesit fillimisht me furgon, që besohej të ishte me shpejtësi 50 km, kishin shtypur disa persona ndërsa më pas kishin përdorur thika të gjuetisë me madhësi 30 centimetërshe, duke therur këmbësorët dhe oficerët e policisë të cilët gjendeshin afër.
Për këtë ka reaguar kryeministrja Theresa May, duke e dënuar këtë akt terrorist dhe duke thënë se “mjaft është mjaft”.
Përveç kësaj ka reaguar edhe kryetari i Londrës, Sadiq Khan, i cili është edhe vetë mysliman, dhe ka thënë se “ky është një akt i bërë nga njerëz të çmendur dhe frikacakë” dhe ka dënuar aktet e terroristëve, shkruan The Independent.
Policia ka raportuar se ka kapur të gjithë të dyshuarit për sulm, gjithashtu gjatë aksionit janë vrarë edhe tre sulmuesit kryesorë nga policia britanike.
Deri tani ishte raportuar për shtatë të vdekur dhe 48 të lënduar. Por raporti i fundit nga NHS – shërbimi kombëtar i shëndetësisë në Angli, sipas gazetës prestigjioze The Guardian, thotë se 21 të tjerë janë në gjendje kritike për jetë. /Insajderi.com