Dortmundi zyrtarizon Philipp, Aubameyang drejt largimit

Dortmundi zyrtarizon Philipp, Aubameyang drejt largimit

Sezoni i ri do të vijë me shumë ndryshime te Borussia e Dortmundit. Shkarkimi nga detyra i Thomas Tuchel dhe emërimi në krye të skuadrës i holandezit  Peter Bosz,  ishte vetëm hapi i parë i drejtuesve të klubit verdhezi. Vetëm pak orë pas zyrtarizimit të ish trajnerit të Ajaxit në krye të skuadrës, Dortmundi ka bërë edhe goditjen e parë në merkato.

Maximilian Philipp, është prezantuar si blerja më e re e klubit nga Signal Iduna Park. 23-vjecari ka firmosur një kontratë deri në vitin 2022 me verdhezinjtë ndërsa blerja e kartonit të tij nga Freiburgu i ka kushtuar Borussias 20 milionë Euro.

Afrimi i Philipp është një sinjal se nga Dortmundi këtë verë do të ketë largime të rëndësishme, dhe njëri prej tyre mund të jetë sulmuesi i talentuar Ousmane Dembele i cili kërkohet me ngulm nga Barcelona. Por 20-vjecari francez nuk do të jetë largimi i vetëm nga Borussia sepse edhe sulmuesi kryesor Pierre Emerick Aubameyang me shumë gjasa do ti japë lamtumirën verdhezinjëve gjatë kësaj vere.

Gjithsesi duket i pamundur një rikthim i mundshëm i sulmuesit nga Gaboni te Milani, pasi Paris Saint Germain është në pole-position për të firmosur me Aubameyang. Klubi parizien i ka ofruar një pagë faraonike prej 14 milionë Eurosh në sezon, bomberit afrikan ndërsa në arkat e Dormtundit pritet të përfundojnë rreth 70 milionë Euro, njofton supersport.

Te Borussia ndërkohë po mendojnë për Mario Balotellin dhe mund të jetë sulmuesi italian i Nice, zëvendësuesi i Aubameyang te Dortmundi.