Si e zbuloi Ramiz Lladrovci skandalin në kampionatin shqiptar

Si e zbuloi Ramiz Lladrovci skandalin në kampionatin shqiptar

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, vendosi që të bëhet krejtësisht transparent në deklarimin e pasurisë së tij dhe familjes kur raportoi të hyrat e fëmijëve të tij futbollist, por në të njëjtën kohë ka zbuluar edhe një skandal në superligën e futbollit shqiptar që njihet si Kategoria Superiore e Futbollit në Shqipëri.

Lladrovci tregoi në formularin e pasurisë se djali i tij, ish-futbollist i ekipit “Kukësi” gjatë vitit 2016 është paguar kesh, me para në dorë.

Lladrovci ka treguar se djali i tij Lapidari ka marrë 30 mijë euro pagë vjetore nga Klubi i Futbollit “Kukësi”.

“Fëmiu im, gjatë vitit 2016 ka qenë pjesë e KF Kukësi dhe pagën vjetore prej 30.000 euro e ka marrë para kesh”, ka shkruar Lladrovci, raporton Insajderi.

Ai nuk ka sqaruar nëse djali i tij ka paguar detyrimet e shtetit e as nëse kjo kontratë ka qenë ligjore, duke marrë parasysh faktin se transaksionet bankare nga klubet duhet të bëhen përmes bankës.

Por nuk është vetëm Lapidari, djali i vetëm i Lladrovcit që nga një klub futbollistik është paguar me para në dorë.

Edhe djali tjetër, Drilon Lladrovci i cili nga ekipi i tij, K.F “Flamurtari” gjysmën e pagave mujore të vitit 2016 e ka marrë kesh ndërsa në pjesën e dytë të vitit është paguar përmes bankës.

Kësisoj Lladrovci zbuloi edhe një skandal në futbollin kosovar.

“Ndërsa D.Ll pjesën e parë të vitit 2016 pagën nga KF Flamurtari e ka marrë kesh në dorë, ndërsa pjesën e dytë të vitit 2016 e ka marrë përmes kontos.(paga fikse për muaj ka qenë 250euro)”, ka shkruar Lladrovci./Insajderi.com