Lionel Messi ende nuk ka rinovuar kontratën e tij me Barcleona-n duke bërë që spekulimet sërish të rrethojnë të ardhmen e pesë herë fituesit të “Topit të Artë”. Kjo nuk është hera e parë që Barça gjendet në këtë situatë, me Messi-n që në 2006-ën mund të bëhej rekordi i merkatos së transferimeve.
Klubi italian i Inter-it ishte i gatshëm të shpenzonte një shifër marramendëse për të marrë yllin katalanas në Milano. Por asokohe presidenti i katalanasve Joan Laporta u pozicionua me vendosmëri kundër një oferte të tillë.
“Ka qenë viti 2006 kur Inter-i bëri një ofertë. Ata ishin gati të paguanin 150 milionë euro për klauzolën, të cilën ne më pas e çuam në 250 milionë euro, por kam marrë gjithmonë siguri nga babai i Messit, Jorge. I thash atij: Ata mund të paguajnë klauzolën, por unë nuk do ta shes. Ai do të jetë i lumtur këtu, do të fitojë lavdi. Atje do të fitojë vetëm në aspektin financiar. Djali yt është i destinuar të bëhet më i madhi i historisë së futbollit dhe ne kemi skuadrën që do ta ndihmojë ta arrijë. Do ta shijojë lavdinë”, zbuloi Laporta në një intervistë për “The Guardian”.
Ndërkohë Laporta pati fjalë të mira për Messin ai tha se Leo është një futbollist i ndërthurur mes Cruyff dhe Maradona-s.
“Jam shumë Cruyffist (adhurues i Johan Cruyff), por ajo që dhuron Messi e bën atë më të mirin e historisë. Edhe Johan e ka thënë këtë. Futbolli i Messi-t është i bukur dhe rezultativ. Për mua më të mirët e të gjitha kohërave janë Cruyff, Maradona dhe Messi. Leo është një ndërthurje e Cruyff dhe Maradona-s, por ai është Leo Messi”.(Telesport)