Jeta dhe vdekja në qytetin e ndaluar të Apple

The Guardian ka publikuar një fragment nga libri më i ri i Brian Merchant. Në libër Merchant tregon se si ai fitoi të drejtën për të hyrë në Longhua, vendi ku iPhonat ndërtohen dhe ku, në vitin 2010, punëtorët e pakënaqur filluan të vrisnin veten

Jeta dhe vdekja në qytetin e ndaluar të Apple

Shkruan prapa çdo iPhoni: “Dizajnuar nga Apple në Kaliforni montuar në Kinë”. Por fabrikat, në të cilat montohet telefoni i njohur në mbarë botën, kanë një tregim të errët.

Posaçërisht rrjeti i kompanive i njohur me emrin Foxconn, ku në njërën prej kompanive, në të cilën më parë janë montuar të gjithë iPhonat, kanë punuar 450 mijë punëtorë. Edhe pse tani ky numër besohet se është më i ulët, përsëri mbetet njëra prej kompanive më të mëdha me më së shumti punëtorë.

Foxconn ka një prapavijë të errët për shkak të vetëvrasjes së punëtorëve të kësaj kompanie.

Në vitin 2010, punëtorët e distriktit Longhua të Shenzenit në Kinë filluan të bëjnë vetëvrasje. Punëtor pas punëtori hidhej nga katet e larta të konviktit të kompanisë, ndonjëherë edhe gjatë ditës, nga dëshpërimi dhe për protestë ndaj kushteve të punës brenda.

Për shkak të pagës së ulët, orëve të zgjatura të punës, ndëshkimeve për gabimet më të vogla apo për vonesa, menaxhimit servil, mosmbajtjes së premtimeve, dhe shumë gjëra të tjera të cilat ua bëjnë të tmerrshme jetën punëtorëve, çdo vit ndodh një numër i konsiderueshëm i vetëvrasjeve brenda kompanisë.

Është raportuar për 18 tentim vetëvrasje vitin e kaluar dhe 14 vdekje të konfirmuara. Njëzet e ca punëtorë pasi ishin kontaktuar nga zyrtarët e Foxconn, nuk kishin bërë vetëvrasje.

Kjo epidemi kishte shkaktuar sensacion në media – vetëvrasjet dhe kushtet e tmerrshme në shtëpinë e iPhone.

Shkrime të lëna pas vetëvrasjes dhe të mbijetuarit kanë treguar për stresin e pamatshëm, ditët e gjata të punës dhe menaxherët e ashpër të cilët poshtëronin punëtorët në publik.

Përgjigja e korporatës ishte instalimi i rrjetave jashtë ndërtesave për të kapur trupat që binin poshtë. Më pas kompania punësoi këshillues të cilët bënë që punëtorët të nënshkruanin premtime që nuk do të provonin të vrisnin veten.

Steve Jobs kishte thënë se vetëvrasja në kompani është brenda mesatares kombëtare të Kinës. Komentin e tij njerëzit e kishin cilësuar si të pashpirt, edhe pse teknikisht ai nuk e kishte gabim.

Normalisht nuk mund të hysh brenda në kompani dhe as të bësh foto, pasi një herë rojet edhe kishin rrahur për spital një gazetar i cili kishte fotografuar kompaninë nga jashtë.

Por për çudi është një pjesë përmes së cilës mund të hysh, dhe prej kësaj pjese gazetari Brian Merchant kishte hyrë dhe kishte parë me sytë e tij horrorin e jetës së punëtorëve.

Foxconn me raste edhe mashtronte punëtorët duke u ofruar vendqëndrim pa pagesë, por më pas i bënte të paguanin shuma marramendëse për ujë dhe elektricitet.

Tetë deri në dymbëdhjetë persona jetojnë në një dhomë me kushte të tmerrshme.

Më pas tek kushtet e punës. Një grua për një minutë duhet të lyejë ekranet e tre telefonave me një lak special, për 12 orë. Kjo do të thotë 1,700 telefona kalojnë në dorën e saj brenda ditës.

Punë pak më delikate, që është një minutë për një telefon. Por edhe kjo është shumë, rreth 600 apo 700 telefona për një ditë.

Një ish-punëtor me emrin Xu, tregon se si një punëtor, të cilin ai e kishte njohur, një herë ishte ndëshkuar publikisht, më pas kishte pasur një përleshje me fjalë. Por kompania kishte thirrur policinë. Punëtori, i cili ishte dhe student, kishte vrarë vetën ca ditë më vonë.

Askush nuk kishte thënë ndonjë gjë për të.

“Këtu dikush vdes, një ditë më vonë e gjitha harrohet sikur të mos ketë ekzistuar. Harron për të”, thotë Xu.

Në vitin 2012, 150 persona u mblodhën në kulm dhe kërcënuan që do hidheshin. Atyre u ishte premtuar përmirësime dhe menaxherët i kishin bindur të mos hidheshin, tregon Xu. Në vitin 2016, një grup më i vogël e bëri përsëri.

Pastaj vetëm pak muaj më parë, tregon Xu, shtatë apo tetë persona kërcënuan se do hidheshin nëse nuk u paguhen pagat të cilat duhet ti merrnin me kohë. Eventualisht nga frika, Foxconn u pajtua të paguheshin pagat dhe punëtorët nuk u hodhën.

“Ne nuk fajësojmë Apple, ne fajësojmë Foxconn”, thotë Xu.

Ndërsa kur pyetet nëse do konsideronte të punonte përsëri në atë fabrikë, në të cilën njerëzit punojnë maksimalisht vetëm një vit, nëse kushtet do të përmirësoheshin, ai përgjigjet shpejt:

“Nuk mund të ndryshosh asgjë. Nuk do të ndryshojë asnjëherë”, thotë ai. /Insajderi.com