Ndërkohë që publiku në gjithë botën analizon mënyrat sesi të mbrojë sistemet e mëdha të kompjuterave, si ato të bankave dhe paisjeve të votimit, nga ndërhyrjet e piraterisë kibernetike, ekspertët paralajmërojnë se mund të jetë i ekspozuar një aspekt tjetër i botës së të dhënave elektronike.
Robotët që po hyjnë në jetën e përditshme, që nga sallat e operacionit e deri tek pajisjet shtëpiake, funksionojnë përmes lidhjes me internetin dhe për këtë arsye mund të rrezikohen nga ndërhyrjet e hakerave. Korrepondenti i Zërit të Amerikës, George Putic njofton.
Robotët po hyjnë në çdo aspekt të jetës së përditshme.
Në aeroportin ndërkombëtar “Incheon” në Korenë e Jugut, robotët ndihmojnë udhëtarët me informacion të nevojshëm dhe i shoqërojnë në korridoret e gjata për të gjetur vendin e nisjes.
Në sallat e operacioneve në spitale, pajisje të sofistikuara robotike do të fillojnë së shpejti të kryejnë operacione që kërkojnë lëvizje tepër preçize që janë të vështira për t’u realizuar nga njerëzit.
Të gjitha këto pajisje mbështeten në udhëzime të formuluara me kodim tek të cilat mund të ndërhyjnë krijuesit e tyre. Për fat të keq, edhe hakerat me synime të këqija mund të kenë qasje në këto kode.
“Këta janë elemente me rëndësi kritike dhe ne duhet t’i kuptojmë shqetësimet e sigurisë që në fillim dhe t’i bëjmë planet duke pasur parasysh këto rreziqe dhe jo të marrim masa më pas, pasi të ndërmerren sulmet ndaj atyre sistemeve”, thotë Carsten Maple, i Universitetit të Uoruikut.
Ekpertët thonë se mbrojtja nuk do të vijë nga një teknologji e vetme dhe se ndërtuesit e robotëve dhe makinerive të tjera duhet të mendojnë për mekanizma mbrojtëse, kur i krijojnë ato.
“Ne gradualisht ndërtojmë teknologji së bashku për të krijuar robotë, por këta robotë janë pjesë e një infrastrukture inteligjente dhe është vërtet e rëndësishme që të gjihë këta elementë të jenë të siguruar. Prandaj duhet të punojmë për sigurinë e sistemeve të integruara”, thotë Chris Melhuish, i Universitetit Bristol.
Sipas ekspertëve, një nga metodat më të mira për mbrojtjen e sistemeve të kompjuterave nga hakerat është ruajtja e memories kompjuterike. Nëse të dhënat bazë i ke të mbrojtura, depërtimi në të dhëna e memories kompjuterike mund të bëhet, por pa aftësi përpunimi.
“Kjo nuk do të thotë se po pakëson shanset e sulmeve, por po pakëson pasojat sepse do të thotë se mund të reagosh shumë më shpejt”, thotë zoti Maple.
Ndërsa çështja e përpunimit të të dhënave bëhet gjithnjë e më e rëndësishme, kompanitë mund të përfitojnë më shumë nëse investojnë më shumë në rritjen e sigurisë ndaj hakerave të produkteve të reja që në fazën e ndërtimit të tyre.