Gazeta zvicerane, Blick: Si e fitoi Xhaka “luftën” ndaj De Biasit

Gazeta zvicerane, Blick: Si e fitoi Xhaka “luftën” ndaj De Biasit

Gazeta zvicerane “Blick” shkruan sot se futbollisti i Baselit dhe kombëtares shqiptare, Taulant Xhaka, fitoi “betejën” ndaj ish-selektorit të kuqezinjve, Gianni De Biasi.

Sipas “Blick”, fakti që De Biasi e la jashtë formacionit futbollistin e Baselit pas ndeshjeve të Kampionatit Evropian, i ka zemëruar tifozët e kombëtares shqiptare, raporton Insajderi.

Kjo mund të ketë ndikuar në dorëheqjen e Gianni De Biasit. Duket sikur Taulant Xhaka ka fituar betejën e vogël – kundër trajnerit, i cili udhëhoqi Shqipërinë për herë të parë në një turne të madh.

De Biasi ishte deklaruar rreth situatës së Xhakës në një intervistë me Top-channel, rreth një javë më parë.

“Prapaskena me Xhakën dhe Gashin gjatë Europianit? Unë jam një njëri që përpiqem t’i mbroj lojtarët e mi, i menaxhoj siç besoj se është e drejtë. Nëse me duhet të ndërhyj dhe t’i masakroj, e bëj. Nëse duhet t’i mbroj publikisht, e bëj duke marrë unë fajin. Erdhën një apo dy ditë para ndeshjes me Francën kur panë se nuk kishin fanellat e titullarëve. Erdhën të dy, menduan se ishin më të fortë të dy, do të më trembnin ndoshta, më thanë: ‘Kemi parë që s’ke ndër mend të na bësh të luajmë, ne duam të shkojmë në shtëpi.’

Këtu iu thashë: ‘Prit prit, prit pak, ndalu. Nuk është se shkoni ju në shtëpi, ju dërgoj unë në shtëpi.’ Pastaj iu thashë edhe shumë gjëra të tjera dhe që nga ai moment nuk ikën në shtëpi. Ulën armët dhe ikën të flinin.” /Insajderi.com