Turqia i ka thënë sot Gjermanisë se lidhjet e dyanshme nuk duhet të mbështeten në “shantazh dhe kërcënime”, pasi ministri i jashtëm gjerman ka shprehur përkushtim për hapa me të cilët do të kufizoheshin investimet në Turqi gjatë një mospajtimi në përshkallëzim.
Minsitri i jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, tha sot më herët gjatë ditës, se Gjermania do t’i rishqyrtojë garantimet shtetërore për investime të jashtme në Turqi dhe ka kërkuar që bizneset të mos investojnë para në Turqi.
“Raportet tona nuk mund të zhvillohen bazuar në shantazh dhe kërcënime, por nëpërmjet normave dhe parimeve të pranuara ndërkombëtare”, ka thënë Ministria e jashtme e Turqisë nëpërmjet një kumtese, duke e akuzuar ministrin Gabriel për “qasje të njëanshme dhe të shtrembëruar”.
Raportet ndërmjet dy aleatëve në NATO janë përkeqësuar gjatë më tepër se një viti, e veçanërisht prej përpjekjes për puç në Turqi në muajin korrik të vitit të kaluar.
Në burg janë dërguar 22 shtetas gjermanë, gjatë goditjes së autoriteteve turke pas grushtshtetit të dështuar.
Nëntë prej tyre aktualisht gjenden në burg, përfshirë edhe aktivistin për të drtejtat e njeriut, Peter Steudtner, dhe gazetarët, Deniz Yucel dhe Mesale Tolu. /REL