Procesi kundër gazetarëve, Hahn: Turqia, larg vlerave të BE

Procesi kundër gazetarëve, Hahn: Turqia, larg vlerave të BE

Turqia po largohet gjithnjë e më shumë nga vlerat europiane. Në një konferencë për shtyp në Bruksel, komisioneri i BE për zgjerimin, Johannes Hahn shprehu shqetësimet  e bllokut, pas nisjes së procesit gjyqësor kundër 17 gazetarëve të njohur dhe pjesëtarëve të tjerë të stafit të gazetës opozitare turke “Cumhuriyet”.

Ai i bëri thirrje vendit të respektojë lirinë e shprehjes, në prag të një takimi të nivelit të lartë mes BE dhe Turqisë, ditën e martë.

‘Vendi po largohet nga vlerat e Bashkimit Europian dhe kjo sigurisht që ka ndikim te marrëdhënia mes Turqisë dhe Brukselit. Ne do të diskutojmë për të gjitha këto çështje”, u shpreh komisioneri Hahn.

Procesi gjyqësor koiçidon me përshkallëzimin e mosmarrëveshjeve me Gjermaninë, lidhur me arrestimin e 10 aktivistëve për të drejtat e njeriut, përfshirë një gjerman, si pjesë e fushatës së spastrimit, pas grushtit të dështuar të shtetit, kundër Erdogan.

Aktivistët dhe aleatët perëndimorë janë ankuar për përkeqësimin e të drejtave të njeriut nën udhëheqjen e presidentit Rexhep Taip Erdogan.

Rreth 50 mijë persona janë arrestuar e të paktën 150 mijë të tjerë janë shkarkuar nga detyra, që prej puçit të 15 korrikut të vitit 2016. Si pjesë e fushatës spastruese të qeverisë, 150 media janë mbyllur e rreth 160 gazetarë janë burgosur.

Shteti më i fuqishëm europian, Gjermania, ka shtuar presionet gjatë ditëve të fundit, duke kërcënuar me masa që do të vështirësonin investimet gjermane në Turqi dhe gjithashtu marrëveshjet për tregëtinë e armeve.