Në 100 vjetorin e pavarësisë nga Rusia, Finlanda vizitohet nga Putini

Në 100 vjetorin e pavarësisë nga Rusia, Finlanda vizitohet nga Putini

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, sot ka arritur në Finlandë, në vizitë njëditëshe, derisa në këtë vend festohet 100 vjetori i pavarësisë nga Rusia.

Putin arriti pasdite afër qytetit Savonlina, në kufirin lindor, për të biseduar me presidentin e Finlandës, Sauli Niinist, për raportet e dyanshme dhe çështjet ndërkombëtare.

Kjo vizitë, po ashtu, po bëhet derisa Rusia dhe Kina kanë zhvilluar ushtrime ushtarake detare në Detin Baltik.

Finlanda, që i ka 1,400 kilometra kufi të përbashkët me Rusinë, nuk është anëtare e NATO-s, por ka bashkëpunuar me këtë aleancë ushtarake perëndimore për vite të tëra.

Finlanda hapur ka diskutuar për mundësinë e bashkëpunimit më të afërt, e ndoshta edhe për anëtarësim në NATO, por kjo çështje është kundërshtuar nga Moska.

Në tetor të vitit të kaluar, Finlanda dhe Shtetet e Bashkuara e kanë nënshkruar një marrëveshje për mbrojtje dhe për rritje të bashkëpunimit ushtarak, pas shkeljeve të dyshuara të hapësirës ajrore të Finlandës nga aeroplanët luftarakë të Rusisë. /REL