Historitë e pesë grave kurajoze

Historitë e pesë grave kurajoze

Kourita Skot King

Kourita Skot King është një grua guximtare e vërtetë. Kur burri i dashur i saj, Martin Luter King Xhunior, u martirizua për qëndresën e tij në Lëvizjen për të Drejtat Civile, Kourita doli vullnetarisht në udhëheqje të Lëvizjes. Martini dhe Kourita nuk qenë vetëm partnerë në martesë por ata gjithashtu ndanë të njëjtin vizion për botën – një vizion paqeje. Gjatë martesës së tyre, Martini shpesh i dërgonte Kouritës karafila të kuq për t’i kujtuar, kur ai ndodhej larg, dashurinë e tij për të. Pavarësisht nga largësia ku mund të ndodheshin, ata qëndruan së bashku në thirrjen e lëshuar për një ndryshim shoqëror jo të dhunshëm. Pak mund ta mendonte ajo, atë kohë tek flirtonin, se po përgatitej për periudhën kur qyrku i detyrës do t’i kalonte asaj. Karafilat e kuq ishin jo vetëm një shprehje e dashurisë së Martinit për Kouritën, por gjithashtu një simbol profetik për kurorëzimin e saj të ardhshëm. Kur burri i saj vdiq, duke i lënë katër fëmijë të vegjël mbi kurriz, Kourita jo vetëm që vijoi të udhëheqë kauzën, por menaxhoi fort mirë familjen e saj. Trimëria dhe mençuria që tregoi duke zgjedhur vazhdimësinë e përpjekjeve në vend që t’i dorëzohej fatkeqësisë së saj, provoi se Kourita Skot King ishte një luftëtare trime. Ajo mbarti trashëgiminë e të shoqit dhe kërkoi fatin e saj si një grua kurajoze.

 

Xheklinë Kenedi

Gjatë përurimit të Xhon F. Kenedit si president i Shteteve të Bashkuara, vëmendja e të gjithë botës u përqëndrua tek gruaja e tij e re, e vetëpërmbajtur dhe e mrekullueshme. E lindur midis pasurisë dhe privilegjeve, Xheklinë Buvié Kenedi ishte e përgtatitur mirë për rolin e Zonjës së Parë. Xheklina kishte një dashuri të thellë për të gjitha gjërat e mrekullueshme. Ajo solli bukuri, hir, dhe kulturë në Shtëpinë e Bardhë. Duke kërkuar ndihmën e autoriteteve të shquara në fushën e artit e të historisë, Xheklina siguroi relike dhe mobilje mbresëlënëse Amerikane, dhe ringjalli dinjitetin në Shtëpinë e Bardhë. Ajo rinovoi një vlerësim të trashëgimisë sonë kombëtare dhe nëpërmjet telvizionit, tërhoqi amerikanët drejt shtëpisë së tyre kombëtare. Por ndodhi pas vrasjes së Xhon Kenedit që ajo la përshtypjen më të pashlyeshme në zemrën e Amerikës. Si një badër që detyrohet të lulëzojë mbi truallin e ngrirë, në kushte të vështira, ashtu edhe ora më e bukur e Xhekisë erdhi pas vdekjes së burrit të saj. Ne kurrë nuk do ta harrojmë pamjen e asaj vejushe kurajoze që qëndronte në këmbë me dy fëmijët e vegjël, kur biri i saj i vogël ngriti dorën për t’i dhënë përshëndetjen e lamtumirës kortezhit të përmortshëm që u kaloi pranë.

Golda Mejer

Si kamelja me energjinë e saj, me një qëndrueshmëri jo të pakuptimtë, Golda Maboviç Mejer nga jashtë mund të jetë shfaqur si diçka e thyeshme, por ajo ka qenë e paepur. E lindur në Kiev, në Ukrainë, ajo emigroi me familjen e saj në Amerikë dhe u shkollua në Miluoki. Më vonë, më 1917, u zhvendos në Izrael dhe u bë një supermjeshtre fondmbledhëse për kauzën Zioniste. Në maj 1948, Zonja Mejer ishte njera nga firmëtarët e Deklaratës Izraelite të Pavarësisë. Ajo pati disa poste të larta qeveritare deri sa më në fund u emërua ministre e jashtme. Duke njohur ndihmesat e saj të larta për shtetin e Izraelit, asaj iu kërkua të pranojë postin e Kryeministrit pas vdekjes së titullarit në detyrë më 1969. Më vonë ajo u rizgjodh vetë në atë detyrë. Negociuese e fuqishme dhe e talentuar, ajo është e vetmja grua që mbajti postin e Kryeministrit në Izrael duke u bërë një nga udhëheqësit e mëdhenj të vendit, “një nënë e madhe ndërmjet etërve themelues”.

Vilma  Rudolf

Pati disa nga ata që thanë se Vilma Rudolf  nuk kishte ndonjë shans të fitonte medaljen e artë në sprint në Lojërat Olimpike të Romës më 1960. Ajo qé afro-amerikane, gjashtë këmbë (1 m e 83 cm) e gjatë dhe me një bukuri mahnitëse. Por Vilma theu parashikimet më bukur se kushdo tjetër në të kaluarën. Kur ishte shumë e re ajo u tkurr nga poliomieliti, që godet sistemin nervor dhe shkakton atrofizimin e muskujve. Vilma u angazhua në një luftë e përditshme për fuqizimin e muskujve dhe ripërtëritjen e trupit të saj për ta rikthyer atë në të shëndetshëm. Me kapërcimin e sëmundjes ajo iu kthye shpejt formës së dikurshme dhe iu përkushtua ëndrrave të saj. Ajo nuk u lëkund.

Barbara Bush

Zonja Bush, mbuluar nga flokët e saj të bardhë si kurorë drite, është shembëlltyrë hiri dhe dinjiteti. Nuk do të kishte rrugë tjetër më të mirë përfytyrimi për ditën e saj të dasmës kur u martua me presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara!

Rrënjët e ish Zonjës së Parë shkojnë thellë në trojet e besimit e të familjes. Si nënë e gjashtë fëmijëve, ajo përjetoi gëzimet e një familjeje të madhe dhe përballoi tragjedinë e humbjes së një fëmije të vogël nga leuçemia. Dashuria e saj për të tjerët është shprehur në veprimet afatgjata të dhembshurisë e mëshirës, për të cilat ajo ushqen respekt e adhurim. Ashtu si manjola gjigande, ajo u hap krahët e saj të gjithëve dhe i tërheq ata drejt vetes me një gjest ngrohtësie dhe mbrojtjeje.  Ndofta ora më e bukur e Zonjës Bush ka qenë dita kur iu drejtua klasës së të diplomuarve të Kolegjit Uellsli në hapjen e ceremonisë së tyre. Ajo u foli si nënë e kombit tonë bijave shpirtërore të saj. Duke dëshmuar mençurinë më të madhe që një grua më e moshuar mund t’i transmetojë brezit më të ri, ajo ndau me to zemrën e saj: “Në fund të jetës suaj”, tha ajo, “juve kurrë nuk do t’u vijë keq se nuk kaluat një test më shumë, nuk morët një vendim fitimi më shumë, ose nuk arritët një marrëveshje më shumë. Juve do t’u vijë keq për kohën që nuk e shpenzuat me një bashkëshort, një mik, një fëmijë apo një prind”. Çfarë inteligjence!