FIBA alarmon FBK-në, përfaqësuesja e Kosovës rrezikon të luajë jashtë vendit

FIBA alarmon FBK-në, përfaqësuesja e Kosovës rrezikon të luajë jashtë vendit

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) të shtunën ka marrë shkresë nga FIBA, në të cilën kjo e fundit e ka bërë të qartë se nëse palestra e vogël në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë nuk e arrin kapacitetin e 3 mijë ulëseve, atëherë ndeshjet për kualifikimet evropiane të Kupës së Botës “Kina 2019”, përfaqësuesja e Kosovës nuk do të mund t’i luajë në kryeqytet.

FIBA po ashtu e ka paralajmëruar FBK-së se më 20 dhe 21 shtator do të dërgojë Lubomir Kotleba-n, këshilltar i Sekretarit Gjeneral të FIBA-s për të inspektuar palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

“Më lejoni t’ju përgëzoj për sigurimin e një vendi në kualifikimet evropiane për Kupën e Botës ‘Kina 2019’. Për të qenë sa më të përgatitur që është e mundur për ndeshjet e muajit nëntor, do të kishim pasur dëshirë që të vlerësojmë palestrën që e keni paraqitur në platformë. Kjo do të bëhet nëpërmjet një vizite inspektuese dhe në bazë të informative që i keni ofruar, palestra nuk mund të miratohet nëse nuk i përmbush të gjitha kriteret e nevojshme”, thuhet në kërkesën e drejtuar nga FIBA.

“Vizita do të shërbej për të qartësuar nëse palestra mund të shfrytëzohet ose nëse mund të bëjmë përjashtim për ta shfrytëzuar atë dhe nëse masat mund të ndërmerren në mënyrë që palestra të miratohet. Në qoftë se disa kërkesa minimale nuk mund të përmbushen, ekziston mundësia që ju të luani ndeshjet jashtë vendit, derisa të keni palestër të përshtatshme e regjistruar në vendin tuaj. Lubomir Kotleba, këshilltar i Sekretarit të Përgjithshëm të FIBA-s do të vizitojë Prishtinën më 20 dhe 21 shtator 2017”, citohet shkresa e FIBA-s drejtuar FBK-së.

FBK në muajin mars e kishte paraqitur për regjistrim në platformën e FIBA-s për ndeshjet kualifikuese, palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë,  por kjo palestër nuk ishte pranuar nga FIBA, pasi që ajo duhet të ketë kapacitet prej 3,000 ulëseve.

“Këtë informatë FBK e kishte marr zyrtarisht nga FIBA në muajin maj dhe menjëherë të njëjtën e ka përcjellë tek institucionet përgjegjëse në vend, të cilat që nga ajo kohë ende nuk kanë ndërmarrë asgjë në këtë drejtim”, thotë FBK në sqarimin e vet.

“Duhet theksuar se në rast se nuk merren masa të menjëhershme në këtë drejtim, atëherë Përfaqësuesja A e Kosovës, e cila së fundi ka arritur sukses historik duke e siguruar një vend në mesin e 32 kombëtareve për në kualifikimet për Kupën e Botës, do të detyrohet të luaj jashtë vendit”, shton më tej FBK.

“Dhe sipas të gjitha gjasave nëse ndodh një gjë e tillë, Kosova nuk do të mund të luajë as në Shqipëri, si shteti i parë më i afërt fqinj, pasi njëjtë si edhe në vendin tonë edhe në Shqipëri nuk ka palestër me kapacitet prej 3,000 ulëseve”, përfundon njoftimi i FBK-së.