Gjatë ditëve të para të EuroBasket, ishte letonezi i New York Knicks, Kristaps Porzingis ai i cili mori më së shumti lavdata për paraqitjet e tij. Megjithatë, kjo e diel shënoi kthesën e kësaj situate. Tani është Goran Dragiç ai i cili po mrekullon me paraqitjet e tij.
Basketbollisti i Miami Heat udhëhoqi sot Slloveninë drejt fitores së tretë në EuroBasket, pasi mposhtën Greqinë me rezultat 78-72, raporton Insajderi.
Pasi shënoi 29 pikë në ndeshjen e dytë ndaj Finlandës, Dragiç e mbylli në kuotat e 14 pikëve, katër asistimeve dhe katër kërcimeve ndeshjen ndaj Greqisë. Me këtë fitore, Sllovenia mbetet e pamposhtur në këtë Kampionat Evropian.
Greqia kishte katër lojtarë që arritën kuotën dyshifrore të realizimeve, por kjo nuk mjaftoi, pasi joefektiviteti për tre pikë i kushtoi grekëve në ndeshjen ndaj Sllovenisë. Tani, Greqia ka dy humbje dhe vetëm një fitore në EuroBasket.
Sllovenia, në anën tjetër, është lidere e grupit. /Insajderi.com