Lot në sytë e basketbollistëve sllovenë janë parë sot në palestrën "Sinan Erdem" të Stambollit, kur Sllovenia fitoi për herë të parë në histori titullin e kampionit të Evropës.
Sllovenia e ka fituar për herë të parë në histori Kampionatin Evropian të basketbollit – EuroBasket 2017, pasi e mposhti Serbinë në finalen e madhe që zhvillua sot në Stamboll, me rezultat 93:85.
Kampioni i ri evropian ishte në epërsi që nga fillimi i përballjes, duke ikur shpeshherë në epërsi me më shumë se dhjetë pikë.
Megjithatë, Serbia u tregua efikase në periudhën e fundit duke ngushtuar rezultatin e madje duke kaluar për disa momente edhe në epërsi. Por në fund të takimit, Sllovenia arriti të tregohej më e qetë për të fituar me tetë pikë epërsi.
Goran Dragiç ishte ylli i padiskutueshëm i finales – por edhe i kampionatit në përgjithësi. Basketbollisti i Miami Heat e mori për dore skuadrën kombëtare të Sllovenisë, duke arritur të realizojë plot 35 pikë në finalen ndaj Serbisë. Dragiç shtoi edhe 7 kërcime dhe 3 asistime në lojën e tij, raporton Insajderi.
Ndërkaq, lojë të mirë treguan edhe amerikani i natyralizuar i Sllovenisë, Anthony Randolph, i cili realizoi 11 pikë, dhe Jaka Blaziç që shtoi 7 pikë të tjera.
Tek Serbia, më i dalluari ishte Bojan Bogdanoviç, i cili realizoi 22 pikë në finale. /Insajderi.com