Humbje tjetër e Trumpit për shfuqizimin e Obamacare

Humbje tjetër e Trumpit për shfuqizimin e Obamacare

Republikanët kanë dështuar edhe njëherë për të shfuqizuar reformën shëndetësore “Obamacare”. Kështu presidenti amerikan Donald Trump humbi shansin edhe njëherë që të mbajë një ndër premtimet e tij kryesore të fushatës elektorale.

Përsëri ka dështuar përpjekja e nxitur nga presidenti amerikan Donald Trump për të shfuqizuar reformën shëndetësore të ish-kreut të shtetit Barack Obama. Për të tretën herë, kreu i Shtëpisë së Bardhë është tradhtuar nga senatorët republikanë. Në një seancë të Komisionit të Financës së Senatit amerikan, e cila u shoqërua nga protesta të shumta, u shfaq përçarja e Partisë së Vjetër lidhur me reformimin e “Obamacare”.

Bëhet fjalë për një reformë që prek miliona amerikanë, të cilët mund të humbasin mbulimin e përkujdesit shëndetësor që parashikohet tek reforma e administratës demokrate të Obamës.

“Akti i Përkujdesit Shëndetësor të Përballueshëm, i ashtëquajturi Obamacare, ka shumë probleme që duhen zgjidhur. Por ishte e dukshme që dokumenti i firmosur nga Lindsey Graham dhe Bill Cassidy nuk përfaqësonte përgjigjen e duhur”, u shpreh senatorja republikane Susan Collins.

Pas kundërshtimit të brendshëm të John McCain dhe Rand Paul, është i qartë edhe qëndrimi kritik i Susan Collins, i cili prish numrat në Senat. Me këtë gjendje aktuale republikanët nuk arrijnë 51 vota nga 100, edhe pse kanë 52 senatorë. Shfuqizimi i Obamacare ishte një ndër premtimet kryesore të presidentit Trump gjatë fushatës elektorale. Por tashmë ai do të heqë dorë nga ky premtim deri në përfundim të vitit fiskal të 2017.