Një gjykatë turke i ka dënuar sot 34 persona me burgim të përjetshëm për tentimin për ta vrarë presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Dyzet e gjashtë persona u gjykuan nën dyshimet për komplotin për ta vrarë presidentin turk gjatë puçit të dështuar të vitit të kaluar në Turqi, raporton BBC.
Shumica e tyre ishin ish-ushtarë të Forcave Speciale Turke, të akuzuar për nisjen e operacionit në hotelin ku po qëndronte Erdogani në pushime.
Këto dënime të profilit të lartë janë më të fundit në një seri gjykimesh ndaj qindra pjesëmarrësve të dyshuar në puç.
Kleriku i dëbuar turk, Fethullah Gulen, i cili jeton në SHBA, ishte në mesin e të gjykuarave, por nuk është paraqitur në gjykatë dhe si rrjedhojë asnjë vendim s’është marrë në rastin e tij.
Turqia e akuzon Gulenin se qëndron prapa puçit, ndërsa shumë prej atyre që janë arrestuar apo pushuar nga puna janë akuzuar se janë ndjekës të tij. Lëvizja e Gulenit tani konsiderohet organizatë terroriste në Turqi.
Gulen mohon çfarëdo përfshirje në puçin e dështuar të korrikut 2016.