Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë një interviste televizive tha se tash për tash nuk do ta vazhdoj procesin e përkushtimit të tij për lëvizjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Jerusalem.
Duke folur mbrëmë në programin televiziv të ish-guvernatorit republikan, Mike Huckabee, presidenti Trump tha se ai nuk do të punojë në planet për lëvizjen e ambasadës, që ishin konsideruar kundërthënëse, derisa të ketë përpjekje të reja për marrëveshjen paqësore ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve.
“Dëshiroj që kjo të ndodhë para se të mendoj për lëvizjen e ambasadës në Jerusalem”, tha Trump gjatë intervistës në rrjetin televiziv, TNB.
“Ne do të marrim vendim në një të ardhme jo të largët”, tha Trump.
Statusi i Jerusalemit është njëra prej çështjeve më të ndjeshme në konfliktin izraelito-palestinez.
Palestinezët e konsiderojnë Jerusalemin si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.
Izraeli e ka aneksuar Jerusalem Lindor dhe e ka shpallur për kryeqytet, por kjo shpallje asnjëherë nuk është pranuar nga komuniteti ndërkombëtar. Shumica e shteteve i kanë ambasadat e tyre në Tel Aviv.
Gjatë fushatës zgjedhore presidenciale të vitit të kaluar, zoti Trump pat shprehur përkushtim për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit dhe për ta lëvizur ambasadën amerikane në këtë qytet.