Dinamikat politike të Lindjes së Mesme janë përmbysur plotësisht. Në përpjekje për të kuptuar se çfarë po ndodh sot në rajon duhet së pari të vëzhgojmë situatën n" />

Gjeopolitika e re e Lindjes së Mesme

Nuk ka asgjë të mistershme apo të papritur në gjithë këtë. Vendet e qeverisura në mënyrë të tmerrshme, popullsitë e të cilëve janë të poshtëruara dhe të cilave u mungon shpresa, nuk duan të mbeten në një gjendje ankthi të përhershëm. Disa rezistojnë. Disa janë rebelë. Disa kërkojnë, pak a shumë, të reformojnë. Shumë prej tyre copëtohen, për të rilindur në mijëra copa të vogla, ose në një seri grupesh militare, ose si ekzekutorë të vullnetit të fuqive të huaja, ose edhe vetëm si një banda të reja kriminale, të financuara nga vendet fqinje.

Gjeopolitika e re e Lindjes së Mesme

Dinamikat politike të Lindjes së Mesme janë përmbysur plotësisht. Në përpjekje për të kuptuar se çfarë po ndodh sot në rajon duhet së pari të vëzhgojmë situatën në Rusi, Ankara, Teheran, Tel Aviv dhe në periferi të Dahieh, në jug të Bejrutit, dhe më pas të përqëndrohemi në Abu Dhabi, Rijad dhe Kajro, me ndonjë vështrim rrëmbimthi edhe në Uashington dhe Bruksel.

Çështjet që dikur pushtonin vëmendjen tonë, duken më pak urgjente. Të pyesësh se si do të zhvillohet situata në rajonet kurde të Irakut dhe Sirisë, çfarë do të bëjnë dhjetëra e mijëra xhihadistë në të gjithë rajonin pas shkatërrimit të grupit të Shtetit Islamik (IS) dhe cili do të jetë fati i Jemenit, Libisë dhe Palestinës është ende interesante, por ndoshta më pak shqetësuese se disa vjet më parë. Çështja më e rëndësishme e javës është fati i një qyteti të vogël të banuar përgjatë kufirit turko-sirian? Apo është më mirë të pyesësh se kush do ta ketë kontrollin e rajonit të fushës së Eufratit, ndërmjet Sirisë dhe Irakut? Deri kur Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të vazhdojnë fushatat e dështuara, atë ushtarake në Jemen dhe rrethimin e Katarit?

Nuk mund të parashikojmë se cilat faktorë do të ndikojnë në ngjarjet e viteve të ardhshme, edhe sepse marrëdhëniet politike ndërmjet fuqive të ndryshme që veprojnë në të gjithë Lindjen e Mesme, janë vazhdimisht në zhvillim. Por, për një gjë nuk ka pikë dyshimi: dinamika e vetme që kapërcen të tjerat ka të bëjë me ndikimin e paparashikueshëm të kësaj periudhe të gjatë lufte, në një duzinë vendesh. Forcat lokale, rajonale dhe globale luftojnë njëra-tjetrën, duke vlerësuar paralelisht aleanca të reja të mundshme me fuqitë jo-arabe, si Rusia, Turqia dhe Irani.

Të gjitha pyetjet e mëdha nuk mund të vlerësohen në dritën e interesave dhe sjelljeve të parashikueshme, siç është bërë që nga vitet tridhjetë. Sot, Turqia, Irani dhe Rusia koordinojnë praninë e tyre ushtarake brenda Sirisë, për të shpëtuar regjimin e Bashar al Assadit, më pas do të kërkojë një mënyrë për menaxhimin e ushtrisë amerikane, mbetjet e Shtetit Islamik, me dhjetëra grupet e vogla militare xhihadiste, koalicionet fisnore dhe aspiratat kurde.

Ndërkohë, mbreti saudit shkon në Rusi për të vlerësuar marrëveshjet e reja ushtarake, tregtare dhe politike, megjithëse ndoshta thjesht po luan me bllofin. Turqia, e cila është pjesë e NATO-s, po blen sisteme të përparuara raketore nga Rusia. Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti po punojnë së bashku për të rikonfiguruar sistemin e qeverisë në Gaza, duke lejuar një ish kriminel palestinez me profil të ulët, Mihama Dahlan, që të ndajë pushtetin në Rripin e Gazës, së bashku me Hamasin, Fatahun dhe këdo që është i gatshëm që të ofrojë shërbimet e veta, në këmbim të parave. Mbijetesa e tyre kolektive është në lojë në Palestinë, dhe ndoshta nuk kanë askënd tjetër kujt t’i drejtohen: thjesht nuk e dinë se çfarë të bëjë në këto kohë të ndërlikuara, por vetëm të kërkojnë një njeri të fuqishëm, i cili mund t’i shpëtojë duke arkëtuar paratë e tjetërkujt.

Budallallëku skandaloz i politikës amerikane lidhur me konfliktin izraelito-palestinez është i mishëruar nga vendosmëria e Donald Trump për t’i besuar dhëndrrit të tij, Jared Kushner (i cili me sa duket as nuk e ka idenë e situatës), ndërsa ambasadori amerikan në Izrael vazhdon të bëjë deklarata që mohojnë pushtimin izraelit të tokave palestineze, dhe të sanksionojë kolonizimin e paligjshëm të tokave arabe. Agjencitë e Kombeve të Bashkuara, ndërkohë, kanë përgatitur një listë të kompanive izraelite që shfrytëzojnë tokat e kolonizuara arabe, në mënyrë që bota të mund të shmangë të bërit biznes me to.

Këto dhe zhvillime të tjera të çuditshme paralele në luftërat e vazhdueshme në Lindjen e Mesme, tregojnë se natyra e sovranitetit kombëtar të bazuar në kontrollin territorial, vazhdon të sfilojë, në shumë zona të kufijve. Historia e shteteve të pavarura që kontrollojnë territorin e tyre, ekonominë e tyre, burimet e tyre dhe dhunën me forcat e tyre të armatosura dhe policinë, për më pak se një shekull, është duke rrëshkitur gradualisht nga gishtat e historisë moderne, që nga ana tjetër, nuk kanë dhënë kurrë provë se kanë patur një mbërthim dhe kontroll të fortë në rajonin tonë.

Fuqia e thyer

Për këtë arsye ne vazhdojmë të pyesim veten, pa gjetur përgjigje të besueshme: kush komandon në verilindje të Sirisë këtë javë? Si do të zhvillohet situata në pjesën tjetër të Sirisë dhe Irakut, në rajonet kurde, në Jemen dhe në Libi? Çfarë do të bëjnë militantët për të mbështetur aventurën e shkurtër, ekstremiste dhe të dhunshme të Shtetit Islamik? Cila është e ardhmja e Jeruzalemit?

Sovraniteti, autoriteti, legjitimiteti dhe fuqia ushtarake në disa vende nuk janë më në duart e qeverive qendrore arabe. Ky mosfunksionim Arab na bën të jetojmë në një rajon të shteteve sovrane, gjysmë-shtete, kuazi-shtete, shtete të copëtuar, shtete brenda shteteve, shtete pushtues, shtete virtuale, mini-shtete, shtete etnike dhe sektare dhe shtete boshe, të varfër dhe të dëshpëruar që do të bënin çdo gjë, vetëm për para. Këto shtete janë të gjithë në garë mes tyre për tokën, burimet dhe për autoritetin, në një rajon që ka me bollëk toka dhe burime, por që ka pak autoritete të besueshme kombëtare, me dhjetëra forma të tjera të pushtetit, fuqisë, sovranitetit, territorialitetit dhe legjitimitetit, që shpërfaqen dhe rrisin kakofoninë.

Nuk ka asgjë të mistershme apo të papritur në gjithë këtë. Vendet e qeverisura në mënyrë të tmerrshme, popullsitë e të cilëve janë të poshtëruara dhe të cilave u mungon shpresa, nuk duan të mbeten në një gjendje ankthi të përhershëm. Disa rezistojnë. Disa janë rebelë. Disa kërkojnë, pak a shumë, të reformojnë. Shumë prej tyre copëtohen, për të rilindur në mijëra copa të vogla, ose në një seri grupesh militare, ose si ekzekutorë të vullnetit të fuqive të huaja, ose edhe vetëm si një banda të reja kriminale, të financuara nga vendet fqinje. / Përgatiti në shqip: Bota.al