Shokët e skuadrës te Ajax, kur e panë të shtrirë në fushë, nuk e kuptuan menjëherë që situata ishte e rëndë, shumë më shumë se një dëmtim muskular, apo ndonjë kockë e thyer. Kur 20-vjeçari Nouri, u rrëzua pa ndjenja gjatë miqësores kundër Werder Brema, në fushë Ajax humbte 2-1, dhe të gjithë shkuan të shuanin etjen dhe të freskohen.
Një e shtunë dosido, një miqësore për të nisur harmonizimin me trajnerin e ri, për Nouri ishte shfaqja e fundit në karrierën e tij si futbollist. Në fillim vetëm nja dy shokë afrohen. Sinkgraven, në anësore nis të shqetësohet, pas tij në pankinë Schone mërmërit diçka, mbase kupton.
Në atë pikë, pas një minute, futbollistët e Werder kërkojnë me ngulm mjekët, Huntelaar nis të rrotullohet përqark, ka një shishe në dorë, duket i çmendur. Dikush tjetër vendos duart në kokë, gjermanët përqafohen, vijojnë tentativat për ta rijetësuar, për ta vënë në kushte sigurie. Ishte data 24 korrik. Më pas komunikata e Ajax: “Ajax është thellësisht i hidhëruar të mësojë se Nouri është diagnostikuar me dëme të pariparueshme cerebrale. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për atë dhe për të shtrenjtët e tij në këtë moment kaq të vështirë!”, citon njoftimi i klubit holandez, shpërndarë përmes rrjeteve sociale.
Dëme të përhershme në tru. Njëri prej 20-vjeçarëve më të talentuar të shkollës së Ajax, që kish nisur të bënte të flitej për atë, tani po lufton një betejë shumë të vështirë. çdo sekond me dikë nga familja e tij pranë, nuk e braktisin kurrë shtratin e tij, nuk largohen kurrë.
Njëlloj sikur e ndiqnin nga tribuna, tani e mbështesin në një ndeshje që duket se nuk njeh fund. Vëllai i tij, Abderrahim, ka një mendim të fortë: “Të jesh i nxehur nuk ndihmon. Të jesh i trishtuar nuk ndihmon. Të qash çdo ditë nuk ndihmon. Të jesh pozitiv dhe optimist ndihmon. Të lutesh për atë ndihmon. Kur i qëndroj pranë duke i folur, për t’i treguar gjëra të bukura, kjo ndihmon”.
Vëllai i Nouri nuk arrin ende të metabolizojë frakturën që ka tronditur jetën e tyre: “Tifozët, kundër Feyenoord, shfaqën një foto të tijën. Edhe vetëm ta shihja ishte e rëndë”. Babai i Nouri shkon në spital gati çdo ditë, me një shpresë të pavenitshme në zemër, që e shtyn përpara, dëshiron të shohë të birin të dalë nga koma.
Në një intervistë për “Algemeen Dagblad” rrëfen dhimbjen e tij: “Ishte i pëlqyer dhe i dashur në të gjithë botën. Ja pse është kaq e vështirë të besosh se ishte pikërisht kjo ajo që i ndodh. E kam shumë të vështirë të flas. Me shumë vështirësi gjejmë forcë të futemi në dhomën e tij. Nuk kemi ndryshuar asgjë. Gjithçka është njëlloj si më përpara”./Telesport.