Arsenali përballet sonte me kundërshtarin e papërshtatshëm – 8 ndeshje pa humbje vendasit

Arsenali përballet sonte me kundërshtarin e papërshtatshëm – 8 ndeshje pa humbje vendasit

Java e 20-të e Premier League do të mbyllet të enjten në mbrëmje me derbin londinez që do të zhvillohet në “Slehust Park” mes Crystal Palace dhe Arsenal. Vendasit kanë marrë një barazim 1-1 në fushën e Swansea-s në javën e fundit të kampionatit dhe janë të pamposhtur në tetë ndeshjet e fundit që kanë luajtur në Premier League.

Kthimi në shtëpi është një lajm i mirë për ekipin e Roy Hodgson, duke parë se ata nuk kanë pësuar asnjë humbje në gjashtë ndeshjet e fundit të luajtura para publikut të tyre, duke përfshirë këtu edhe një fitore befasuese 2-1 të marrë kundër Chelsea.

Në javën e 21-të të kampionatit, që do të zhvillohet në datat 30 dhe 31 dhjetor, Palace do të presë në shtëpi kryesuesit e Manchester City, për këtë arsye Hodgson do të kërkojë të marrë maksimumin e mundshëm nga sfida kundër “Topçinjve”, me këta të fundit që kanë marrë vetëm një fitore në pesë ndeshjet e fundit të kampionatit, me katër të tjerat që kanë sjellë tre barazime dhe një humbje.

Gjithashtu, ecuria e miqve në transfertë nuk është aspak e mirë, me lojtarët e Wenger që kanë marrë vetë, 2 fitore në 9 takimet e luajtura deri tani larg shtëpisë, shkruan Telesport.

Përballjet direkte

– Ndeshja e fundit e luajtur mes këtyre dy skuadrave në fushën e Crystal Palace është mbyllur 3-0 për vendasit.

– Arsenal ka marrë 7 fitore, 2 barazime dhe një humbje në 10 ndeshjet e fundit të kampionatit të luajtura kundër Palace.

– Palace ka marrë 1 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje në 5 ndeshjet e fundit të Premier League të luajtura në shtëpi kundër Arsenal.

– Crystal ka realizuar të paktën 2 gola në 6 ndeshjet e fundit të kampionatit që ka luajtur në shtëpi.

– Në 3 transfertat e fundit që Arsenal ka luajtur në kampionatin anglez janë realizuar 2.5 gola për ndeshje.

– Roy Hodgson ka marrë 2 fitore, 3 barazime dhe 7 humbje në përballjet e zhvilluara kundër Arsene Wenger.