Që nga fillimi i krizës aktuale nga 25 gushti i vitit të kaluar, Turqia ka ofruar më shumë se dhjetë milionë dollarë ndihma humanitare për refugjatët Rohingya në Banglad" />

Sigurohen mbi 10 milionë dollarë për refugjatët Rohingya

Sigurohen mbi 10 milionë dollarë për refugjatët Rohingya

Që nga fillimi i krizës aktuale nga 25 gushti i vitit të kaluar, Turqia ka ofruar më shumë se dhjetë milionë dollarë ndihma humanitare për refugjatët Rohingya në Bangladeshin juglindor, tha kreu i Drejtorisë turke për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD).

“Turqia, së bashku me të gjitha institucionet zyrtare, ka shpërndarë më shumë se dhjetë milionë dollarë në kampet e muslimanëve Rohingya në Bangladesh”, tha për Anadolu Agency (AA) Mehmet Güllüoğlu.

“Ne u thamë autoriteteve të Bangladeshit se jemi të gatshëm të bëjmë më shumë, të bashkëpunojmë për të ndihmuar njerëzit në nevojë”, shtoi ai.

Güllüoğlu tha se që nga fillimi i krizës, Turqia ka ofruar ndihmë humanitare aktive, të tilla si strehimore, ushqim, veshmbathje dhe kujdes shëndetësor.

“Ne kemi ndërtuar një spital fushor atje. Fëmija i parë Rohingya ka lindur në spital më 19 shkurt”, theksoi ai.

Spitali është ndërtuar dhe operohet nga Ministria e Shëndetësisë e Turqisë dhe AFAD-it për të siguruar mbështetje urgjente shëndetësore për refugjatët.

Güllüoğlu u shpreh se kampet në Bangladesh janë disa nga më të ngarkuarat në botë dhe se shërbimet shëndetësore janë ndër nevojat më urgjente të refugjatëve.

“Që kur spitali filloi të veprojë në fillim të janarit, më shumë se 2.000 njerëz janë ekzaminuar”, theksoi ai.

Güllüoğlu shtoi se në të njëjtën kohë janë duke vazhduar punimet për një spital të dytë fushor dhe klinika shëndetësore në kampe.

– Ndikimi i shirave munsonë

Güllüoğlu poashtu vuri në dukje se negociatat me autoritetet e Bangladeshit për çështjen e muslimanëve Rohingya janë duke vazhduar si në Turqi, ashtu edhe në Bangladesh.

“Por kjo nuk është një çështje e lehtë. Kjo është një çështje që po ndodh në shtetin perëndimor të Mianmarit për shumë dekada. Qindra mijëra njerëz, përfshirë fëmijë dhe gra, po vuajnë atje”, potencoi ai.

“Kushtet e motit në Bangladesh janë të mira tani, por shirat pritet të fillojnë në prill. Infrastruktura në kampet e refugjatëve nuk është e gatshme për fatkeqësitë natyrore që mund të ndikojnë në tërë zonën”, tha Güllüoğlu.

“Ne u kemi thënë autoriteteve të Bangladeshit se jemi gati me të gjitha pajisjet e nevojshme për të dhënë mbështetje gjatë sezonit të shirave”, shtoi ai.

– Marrëveshja për riatdhesimin e refugjatëve

Güllüoğlu vlerësoi marrëveshjen e riatdhesimit të muslimanëve të Arakanit të nënshkruar nëntorin e kaluar ndërmjet Bangladeshit dhe Mianmarit, por shprehu shqetësime në lidhje me sigurinë e tyre pas kthimit në Mianmar.

“Kjo marrëveshje është një hap pozitiv, por nuk është përfunduar. Duhet monitoruar pasojat dhe nëse njerëzit që do të kthehen do të jetojnë në paqe”, tha Güllüoğlu.

Ai theksoi nevojën për kthimin e refugjatëve, por tha se mbështetja humanitare duhet të vazhdojë për sa kohë që ata të qëndrojnë në Bangladesh.

Marrëveshja e riatdhesimit për muslimanët Rohingya është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare, si dhe nga grupet e të drejtave për shkak të mungesës së mekanizmave për vëzhgimin e njerëzve të prekshëm pas kthimit të tyre në Mianmar.

Sipas marrëveshjes, më 16 shkurt Bangladeshi i dha Mianmarit një listë fillestare prej 8.000 muslimanëve Rohingya për riatdhesim.

Muslimanët Rohingya, të cilësuar nga OKB si njerëzit më të përndjekur në botë, janë përballur me frikë të rritur prej sulmeve, pasi një dhjetra prej tyre u vranë në dhunën komunale në vitin 2012.

Sipas Amnesty International, më shumë se 750.000 refugjatë, kryesisht fëmijë dhe gra, kanë ikur nga Mianmari që nga 25 gushti i vitit 2017, kur forcat e Mianmarit nisën të ushtrojnë dhunë ndaj komunitetit pakicë musliman.

Të paktën 9.000 Rohingya u vranë në shtetin e Arakanit në Mianmar nga 25 gushti deri më 24 shtator, ka njoftuar organizata Mjekë pa Kufij.

Në një raport të dhjetorit të kaluar, organizata humanitare tha se vdekjet e 71,7 për qind ose 6.700 muslimanëve të Arakanit janë shkaktuar nga dhuna. Ato përfshijnë 730 fëmijë nën moshën pesëvjeçare.

OKB ka dokumentuar përdhunime në masë, vrasjet, përfshirë foshnja dhe fëmijë të vegjël, rrahje brutale dhe zhdukje të kryera nga personeli i sigurisë. Në një raport, hetuesit e OKB-së kanë thënë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit.