
Ndonëse për shqiptarët Gianni De Biasi është bërë i njohur vetëm pas marrjes së drejtimit të kombëtares shqiptare, tekniku italian edhe më parë ka qenë i njohur në futbollin italian e atë evropian.
Madje, De Biasi ka pasur nën drejtimin e tij disa emra të njohur të futbollit, të cilët kishin kualitete individuale dukshëm më të larta se ata të kombëtares shqiptare. Mjafton të përmendet superylli i Arsenalit, Alexis Sanchez dhe ai i Juventusit Juan Cuardado.
Të dy këta futbollistë, trajneri i kombëtares shqiptare i ka menaxhuar sa ishte pjesë e Udineses në vitin 2009/10, e në po të njëjtën skuadër De Biasi ka punuar me lojtarë të tjerë të njohur, siç janë Gokhan Inler, Mauricio Isla apo Antonio Floro Flores.
Një emër tjetër i madh që kishte punuar me të tek Udinese, është legjenda skuadrës nga “Friuli”, Antonio Di Natale, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme tek skuadra bardhezi dhe në futbollin italian në përgjithësi.
Edhe portieri slloven, tashmë futbollist i Interit Samir Handanoviç ishte nën urdhrat e teknikut italian, raporton Insajderi.
Tek Udinese De Biasi qëndroi vetëm 3 muaj, sepse pas 11 ndeshjeve u shkarkua për arsye të rezultateve jo të kënaqshme. Megjithatë, ai mbahet mend në Udine për hapësirën që i dha futbollistëve të rinj, si Cuadrado dhe Sanchez.
De Biasi gjithashtu kishte punuar edhe më parë me shqiptarë. Një vit para se të merrte drejtimin e skuadrës së Udineses, ai udhëhoqi për 22 ndeshje skuadrën e Torinos në sezonin 2008/09, në të cilën punoi me Blerim Xhemailin – futbollistin shqiptar të përfaqësueses zvicerane.
Italiani i kuqezinjve ka udhëhequr edhe skuadrën e La Ligës spanjolle, Levanten, me të cilën ka pasur nën drejtim ish-futbollistin e Real Madridit Pedro Leon, i cili më pas u transferua në Getafe dhe nga aty kaloi në Real Madrid, për të dështuar më pas tek skuadra mbretërore.
11 skuadra deri më tani ka pasur nën drejtim Gianni De Biasi. Ai ka qenë edhe trajner i Brescia-s, Spal-it, apo Modenas – me të cilën arriti suksesin më të madh në karrierë duke arritur ta ngjisë këtë skuadër brenda tre viteve nga Serie C, deri tek Serie A.
Ai ka drejtuar dhe drejton futbollistë të njohur edhe tek skuadra kombëtare shqiptare, vlen për të përmendur kapitenin Lorik Cana apo talentin e Napolit, Elseid Hysaj.
Italiani ka mundësinë të bëjë historinë në kampionatin evropian me Shqipërinë që të rikthehet në memorien e atyre që e harruan, apo atyre që e shkarkuan nga skuadrat italiane. Ai ka bërë historinë me Shqipërinë, vetëm se duhet ta dëshmojë atë edhe në nivelin më të lartë të ngjarjeve sportive, siç është Euro 2016. /Insajderi.com