Sulm i ri në Francë? Një vozitës tentoi t’i shkelë ushtarët

Një vozitës ka tentuar që me veturë t'i "kositë" ushtarët të cilët ishin në xhoging, në afërsi të kazermës ushtarake në juglindje të Francë, transmeton BBC. Sulmuesi pas ndjekjes është arrestuar.

Sulm i ri në Francë? Një vozitës tentoi t’i shkelë ushtarët

Policia kombëtare ka kumtuar në Twitter se i dyshuari është arrestuar afër vendit të sulmit në Vars-Alier-e-Rise, në afërsi të Alpeve franceze.

Siç lajmëron BBC, ushtarët, në përpjekje ta evitojnë që vetura t’i shkelë, kanë kërcyer në një hendek. Pas këtij incidenti, vozitësi është arratisur, ndërsa në qytezë afër Grenoblit, në të cilën ndodhi kjo ngjarje, është dërguar xhandarmeria e cila menjëherë u vu në ndjekje të vozitësit.

Incidenti ndodhi sot në mëngjes në mes të orës 08:30 dhe 09:00, në afërsi të kazermës së ushtrisë tokësore, pretendon “Figaro” duke u thirrur në burimet e policisë. Veturën e ngiste “një mashkull mjaft i ri”, i cili së pari iu drejtua me fjalë fyese grupit të ushtarëve të cilët vraponin, dhe pak më vonë u vërsul me veturë në mes të ushtarëve të regjimentit të 93 të artilerisë.

Burimet policore më herët kanë bërë thirrje për kujdes sepse, siç kanë pretenduar, nëse bëhet fjalë për një akt të qëllimtë, për momentin nuk e dinë se cili ishte motivi – a bëhet fjalë për konflikt personal apo për akt terrorist ose për diçka tjetër.

Reuters transmeton se askush nuk është lënduar, por se, duke marrë parasysh kontestin, incidenti konsiderohet si shumë serioz. BBC përkujton se ky sulm ndodhi vetëm disa ditë pas sulmit në një supermarket francez, të cilin policia franceze e karakterizoi si sulm terrorist, në të cilin u vranë katër njerëz./Insajderi.com.