Kryeministri turk: Ne nuk bisedojmë me terroristë, por i shkatërrojmë në rrënjë  

Kryeministri turk: Ne nuk bisedojmë me terroristë, por i shkatërrojmë në rrënjë  

Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım, në lidhje me deklaratën e presidentit francez Emmanuel Macron se Franca mund të ndërmjetësojë mes Turqisë dhe organizatës terroriste SDF, porositi se Turqia nuk negocion me terroristët, nuk shtrëngon duart me ta, por i shkatërron ata në rrënjë.

Yıldırım sot qëndroi në qytetin turk të Izmirit, ku mori pjesë në ceremoninë e hapjes së një spitali shtetëror. Në fjalimin e tij gjatë ceremonisë, Yıldırım komentoi deklaratat e fundit të presidentit francez Emmanuel Macron, i cili tha se Franca mund të ndërmjetësojë midis Turqisë dhe organizatës terroriste SDF.

“Turqia nuk negocion me terroristët, nuk shtrëngon duart me ta, por i shkatërron në rrënjë. Siç kemi bërë në Afrin, pastaj gjatë ofensivës ‘Mburoja e Eufratit’, ne jemi të vendosur për të shkatërruar terroristët në të gjitha rajonet”, ka thënë Yıldırım, raporton AA.

“Franca është anëtare e NATO-s së bashku me ne. Nëse keni vështirësi ta kuptoni Turqinë, a nuk mund të merrni mësim nga e kaluara? Vallë dëshironi që populli i Sirisë të përjetojë atë dhimbje që ju e shkaktuat në Algjeri? Të gjitha organizatat terroriste që ushtrojnë dhunë ndaj popullit të Sirisë për ne janë njëlloj. Nëse Macron dëshiron të jetë një gjyqtar në mes të organizatave terroriste, le ta bëjë. Turqia nuk bashkëpunon me terroristët”, tha Yıldırım.