Presidenti rus Vladimir Putin ka pranuar gjatë kësaj të premteje se, Shtetet e Bashkuara me shumë mundësi janë ende superfuqia e parë e botës dhe se është i gatshëm t" />

Shteti më i fuqishëm në botë sipas Putinit nuk është Rusia

Shteti më i fuqishëm në botë sipas Putinit nuk është Rusia

 

Presidenti rus Vladimir Putin ka pranuar gjatë kësaj të premteje se, Shtetet e Bashkuara me shumë mundësi janë ende superfuqia e parë e botës dhe se është i gatshëm të bashkëpunojë me cilindo që zgjidhet president në zgjedhjet e nëntorit, por shtoi se nuk dëshiron aspak të marrë këshilla prej amerikanëve sesi duhet të jetojë ai apo edhe rusët.

Komentet e Putinit vijnë pas një periudhe acarimesh në marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Rusisë, që janë minuar kryesisht nga çështje të tilla si Ukraina dhe Siria. Putin ritheksoi edhe njëherë kritikat mbi atë që ai e quajti si rol të devijuar të Shteteve të Bashkuara në çështjet e Ukrainës, ndërsa shtoi se kundërshton edhe ato që ai i konsideron si përpjekje të SHBA-ve për të penguar Rusinë të riparojë marrëdhëniet e saj me Bashkimin Europian.

Gjithsesi, pati edhe fjalë të mira për Amerikën.

“Amerika është një fuqi e madhe, ndoshta në ditët e sotme është e vetmja superfuqi në botë. E pranojmë këtë”, tha Putin gjatë Forumit Ekonomik Ndërkombëtar që zhvillon punimet në Shën Pjetërburg të Rusisë. “Ne duam dhe jemi të gatshëm të punojmë me Shtetet e Bashkuara”.

I pyetur në lidhje me Donald Trumpin, Putin duket se kërkoi të hidhte poshtë komentet pozitive të bëra prej tij në lidhje me kandidatin republikan për Shtëpinë e Bardhë në të kaluarën, duke shpjeguar se ato janë keqinterpretuar.

Në dhjetor, Putin e përshkroi Trumpin si “shumë pompoz, të talentuar dhe një udhëheqës absolut në garën presidenciale amerikane”. Këto komente, por edhe fjalët e ngrohta të shprehura prej Trumpit në lidhje me Putinin, shtuan spekulimet se Kremlini do të ishte i kënaqur të shihte manjatin e pasurive të paluajtshme në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Por këtë të premte, Putin tha se e kishte përshkruar Trumpin thjesht dhe vetëm si një personazh “pompoz”.

“Ai është i tillë apo jo? – pyeti Putin duke buzëqeshur. – Nuk dhashë ndonjë vlerësim tjetër ndaj tij”.

Megjithatë, Putin shtoi se mirëpret vullnetin e mirë të Trumpit për të riparuar marrëdhëniet SHBA-Rusi. “E çfarë ka të keqe këtu?”, pyeti shefi i Kremlinit duke shkaktuar duartrokitje mes audiencës. Ai theksoi gjithashtu edhe “marrëdhëniet e ngrohta” të tij me ish-presidentin amerikan Bill Clinton, bashkëshortja e të cilit, Hillary është kandidate e demokratëve për Presidencën amerikane.

Putin tha se, ishte mirënjohës për vëmendjen dhe respektin që Bill Clinton ka shfaqur ndaj Rusisë dhe vet presidentit të saj personalisht. Por, nuk kishte shumë për të thënë mbi Hillary Clintonin, pasi u justifikua se me të nuk ka punuar kurrë drejtpërdrejtë/TCH