Harvey Weinstein “nuk ndihet fajtor”

Në gjykatë mezi foli, nëse e dënojnë, do të ballafaqohet me 25 vjet burgim.

Harvey Weinstein “nuk ndihet fajtor”

Producenti filmik Harvey Weinsein i akuzuar më 25 maj për përdhunim dhe keqtrajtim seksual, ka deklaruar të martën në gjykatë në Menhetën se nuk ndihet fajtor. Weinstein (66), për shkak të cilit u krijua lëvizja #MeToo, pasi e kanë akuzuar njëqind gra për abuzim seksual, prej keqtrajtimit deri te përdhunimi, ka deklaruar se nuk ndihet fajtor sipas tri pikave të aktakuzës, njëra për abuzim seksual dhe dy për përdhunim. Në rast se dënohet, do të ballafaqohet me burgim deri në 25 vjet.

Weinstein i ka thënë disa fjalë në dëgjim para sallës e cila ishte përplot. “Nuk jam fajtor”, i është përgjigjur me zë të ulët gjykatësit i cili e pyeti se si dëshiron të deklarohet. Disa herë është përgjigjur vetëm me “po” kur gjykatësi e ka përkujtuar në kushtet e lirimit të tij nën mbikëqyrje.

Në dëgjim, në shumicën e rasteve është përgjigjur avokati i tij Ben Brafman. Identiteti i gruas e  cila e akuzon Weinsteinin për përdhunim nuk është zbuluar. Ekspertët nuk e përjashtojnë mundësinë që Weinstein në fund ta pranojë fajësinë në mënyrë që të marrë dënim më të butë, nëse avokatëve të tij do t’iu duket se nuk mund ta fitojnë rastin./Insajderi.com.