Putin: Jam i gatshëm të takohem me Trump

Putin: Jam i gatshëm të takohem me Trump

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u shpreh i gatshëm të takohet me homologun e tij amerikan, Donald Trump. Shefi i Kremlinit ka thënë se samiti do të ndodhë sapo Uashingtoni të jetë gati. Megjithatë detajet do të vendosen sipas agjendës së Putin.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se është gati të takohet me homologun e tij amerikan, Donald Trump. Vendosjen e mbajtjes së samitit mes dy liderëve tha se e ka në dorë, megjithatë i la kohë Uashingtonit që të përgatitet.

“Sapo pala amerikane të jetë e gatshme, ky takim do të ndodhë sipas orarit tim të punës, natyrisht”, tha Putin.

Duke folur për gazetarët në sajë të konferencës së Organizatës së Bashkëpunimit të Shanghait, e cila është duke u zhvilluar në qytetin kinez të Qingdaos, presidenti rus rikujtoi se disa vende, duke përfshirë Austrinë, ofruan të presin samitin me Trump.

Presidenti rus pastaj theksoi se kreu i Shtëpisë së Bardhë është shprehur i shqetësuar në lidhje me rifillimin e garës së armëve. Ajo për të cilën ai është dakord, tha Putin, është se nevojitet një diskutim i gjerë për zgjidhjen e çështjes.

Pretendimet e Putinit pasojnë informacionin që Shtëpia e Bardhë po punon për të organizuar takimin. Gjithashtu vijnë edhe pas deklaratave të Trump në samitin e G7 që Rusia duhet të rifutet në takimet e vendeve më të industrializuara në botë. Rusia u përjashtua disa vite më parë nga ky samit për shkak të aneksimit të Krimesë.

Ndërkohë, Trump nuk e ka fshehur simpatinë e tij për Putin si gjatë fushatës elektorale në 2016, ashtu edhe pasi u betua si President i SHBA’ve. Shpeshherë është shprehur në favor të përmirësimit të marrëdhënieve me Moskën.

Megjithatë kjo simpati e ka futur atë në telashe. Tashmë Trump është nën hetim për lidhjet e ekipit të tij të fushatës me zyrtarë rusë. Nëse një gjë e tillë vërtetohej, atëherë Trump do të shkarkohej nga detyra e presidentit.