Trump: Berlini është “rob” i Rusisë, duhet t’i mbrojmë

Trump: Berlini është “rob” i Rusisë, duhet t’i mbrojmë

Presidenti i SHBA Donald Trump, sot në prag të fillimit të samitit të NATO-s në Bruksel, e nisi sulmin ndaj Berlinit për shkak të përkrahjes së marrëveshjes me Rusinë rreth ndërtimit të gazsjellësit në Detin Baltik, duke pretenduar se Berlini është “rob i Rusisë” duke kritikuar dështimin e Gjermanisë në rritjen e kontributit për mbrojtje, transmeton Reuters.

Presidenti amerikan gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg ka thënë se është shumë e papërshtatshme që SHBA të paguajnë mbrojtjen e Evropës nga Rusia, derisa Gjermania si vendi më i pasur evropian po i përkrahë marrëveshjet për gaz me Moskën, transmeton Insajderi.com.

“Dhe pritet  prej nesh që t’ju mbrojmë nga Rusia”, i ka porositur Trumpi Gjermanisë, për të cilën pretendon se për shkak të gazsjellësit “është nën kontroll të plotë të Rusisë”, transmeton AP.

Më vonë gjatë ditës, Trump duhet të takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel, dhe për të hënën është caktuar takimi i tij me kryetarin rus Vladimir Putin.

Trump gjatë adresimit për gazetarë para fillimit të samitit të NATO-s, ka thënë se përpjekjet e tij i kanë detyruar vendet tjera anëtare të Aleancës të kontribuojnë më tepër për NATO-n, duke vlerësuar se edhe më tutje nuk mjafton që të zvogëlohet barra nga shpina e tatimpaguesve amerikan.

“Gjatë vitit të kaluar vendet tjera kanë dhënë rreth 40 miliardë dollarë më tepër në mënyrë ta ndihmojnë NATO-n, por kjo as nga afër nuk mjafton. SHBA shpenzojnë tepër para, ndërsa vendet tjera nuk paguajnë mjaftueshëm, sidomos disa”, ka porositur Trump./Insajderi.com.