Familja i ka njohur syzet në rrjetet sociale: “Ishte i pamartuar dhe shumë i pavarur”.
Skiatori francez i cili ishte zhdukur në Itali para më shumë se 60 vjetëve, më në fund është identifikuar pasi tregimi i tij u publikua nëpër rrjete sociale, ka publikuar policia italiane.
Mbetjet mortore, pajisja e skijimit dhe syzet e skiatorëve janë gjetur në vitin 2005 në rajonin e Aosta-s, në Alpet italiane. Mirëpo, hetuesit kurrqysh nuk mundën ta identifikonin viktimën, deri në muajin e kaluar kur e kanë publikuar zbulimin e tyre në Facebook, transmeton Insajderi.com.
Një familje franceze e ka parë publikimin dhe i ka njohur syzet e të afërmit të tyre Henri Le Masne, dhe më pas ka filluar hetimi i forenzikës, shkruan BBC.
Mbetjet mortore dhe gjërat janë gjetur në lartësinë prej 3.000 metrave në Alpet në afërsi të kufirit me Zvicrën. Në pjesët e mbetjeve policia ka gjetur gjurmët e mundshme, siç janë inicialet në veshje dhe skitë e drurit, të cilët në atë kohë kanë qenë shumë të shtrenjta, por megjithatë hetuesit nuk dinin se prej nga të fillojnë.
Ata kanë vërtetuar se mbetjet i përkasin mashkullit i cili ka qenë i gjatë 175 cm dhe në moshën rreth të 30-ave. Kanë supozuar se vdekja e kishte gjetur diku në pranverë, ka thënë Marinella Laport, eksperte e forenzikës së policisë në Torino.
Pas publikimit në Facebook, Emma Nassem ka lajmëruar nëpërmes të radio stacionit lokal se ky mund të jetë daja i saj, Le Masne, i cili është zhdukur pasi gjatë skijimit e kishte kapur stuhia e madhe në afërsi të Matterhorn-it në vitin 1954.
Vëllai i tij më i ri Roger, i cili sot i ka 94 vjet, gjithashtu u lajmërua me email: “Unë jam vëllai i Henri Le Masnes, me siguri skiatorit i cili u zhduk para 64 vjetëve. Ishte i pamartuar dhe shumë i pavarur. Punonte në ministrinë e financave në Paris”.
Familja i kishte dërguar policisë franceze fotografinë e tij dhe menjëherë, prej syzeve, ishte e qartë se ishte ai. Edhe testi i ADN-së këtë e konfirmoi./Insajderi.com.