Një tërmet i fuqishëm e ka goditur pjesën jugore të Hokaidos në orën 3:08 sipas kohës lokale në thellësi prej 40 kilometrave.

Në tërmetin me forcë prej 6.7 i cili e goditi të enjten ishullin Hokaido në veri të Japonisë tetë njerëz kanë vdekur, derisa 40 po llogariten si të zhdukur, kanë lajmëruar zyrtarët bilancin e ri të tërmetit.
Tërmeti e ka goditur pjesën jugore të Hokaidos në orën 3:08 sipas kohës lokale në thellësi prej 40 kilometrave, ka kumtuar Agjencia Meteorologjike e Japonisë, transmeton Insajderi.com.
Epiqendra është në lindje të qytetit Tomakomaia, dhe lëvizja e tokës ka shkaktuar rrëshqitje të dheut si dhe ka shkatërruar rrugët dhe shtëpitë në kryeqytetin e prefekturës së Hokaidos Saporo, i cili ka 1,9 milion banorë.
Më herët është raportuar se dy persona kanë vdekur në tërmet. Mirëpo më pas janë gjetur edhe trupat e gjashtë viktimave nëpër rrënojat e shtëpive në vendin malor Acuma, në ishullin Hokaido.
Televizioni kombëtar japonez NHK pretendon se 125 njerëz janë lënduar dhe frikohet se rreth 40 persona janë të zhdukur.
Tërmeti pasoi pas tajfunit i cili e shkatërroi Japoninë perëndimore, dhe për shkak të cilit u mbyll aeroporti kryesor i Osakas kur një anije e goditi urën e cila e lidh aeroportin me kontinentin./Insajderi.com.