“Kam refuzuar milionat nga shtetet e tjera. Nuk ka para që më bëjnë të ndihem si sot”, këto ishin fjalët e para të xhudistët Majlinda Kelmendi pas triumfit në Lojërat Olimpike të Rios, ku u stolis me medalje të artë një natë më parë.
Megjithëse përmendi milionat e shteteve të tjera, Majlinda nuk saktësoi se cilat shtete e kishin kërkuar atë dhe trajnerin e saj Driton Kuka që të garonin për shtetet e tyre.
Por, para më pak se 10 muajsh, Majlinda pati treguar se cilat kanë qenë dy shtetet që i kishin ofruar asaj “milionat” – siç thotë Kelmendi – për të përfaqësuar ato shtete në garat ndërkombëtare të xhudos, si dhe në Lojërat Olimpike.
“Kam pasur oferta vërtet serioze, më kanë ofruar shumë para. Kanë arritur oferta nga vende si Azerbajxhani e Turqia”, pati thënë Kelmendi për rëvistën franceze Sept.info në muajin nëntor të vitit të kaluar, njofton Insajderi.
Nuk dihet se çfarë ofertash financiare ka marrë Kelmendi nga Azerbajxhani dhe Turqia, mirëpo si duket ato nuk e kanë tunduar aspak medalistën e parë kosovare të Lojërave Olimpike. Majlinda e konfirmoi vetë se momenti i fitimit të medaljes së artë për Kosovën, e ka bërë të ndihet “më së miri në botë”.
25-vjeçarja është shpallur dy herë kampione botërore dhe dy herë evropiane në xhudo, derisa më parë ishte shpaluur edhe kampione e botës për juniore.
Ndërrimi i nënshtetësisë në sport është i njohur tashmë për shqiptarët, pasi më parë një veprim të tillë e kishin ndërmarr sportistët shqiptar, Sahit Prizreni dhe Elis Guri.
Prizreni dhe Guri kishin përfaqësuar Shqipërinë para se ta ndërronin atë për të përfaqësuar dy shtete të tjera; Guri pranoi ofertën e Bullgarisë ndërsa Prizreni mbron ngjyrat e Australisë- të dy mundësit do të garojnë në ditët e ardhshme edhe në “Rio 2016”. /Insajderi.com