Lionel Messi pritet të rikthehet në kombëtaren e Argjentinës, pas dorëheqjes që dha disa javë më parë në finalen e Kupës së Amerikës ndaj Kilit.
Deklarata e konfirmimit vjen nga trajneri i ri i Argjentinës Edgardo Bauza, pas një takimi që pati me futbollistin e Barcelonës në Spanjë, njofton gazeta spanjolle “Marca”.
“E pashë me një dëshirë të madhe për t’u rikthyer”, tha Bauza. Ndërsa shtoi se nuk dëshiron të nxitohet pasi asgjë nuk është vendosur në mënyrë përfundimtare.
“Sot do të flas me të dhe më pas do të jap listën përfundimtare të të thirrurve”,ka thënë Bauza, duke dhënë kështu sinjale të qarta se futbollisti më i mirë në botë mund të rikthehet shumë shpejtë në përfaqësuese.
Trajneri i Argjentinës u rikthye dje në Buenos Aires pasi kaloi dy ditë në Barcelonë, ku pa nga afër takimin e Barcelonës ndaj Samdorias.
Gazetat spanjolle dhe ato italiane e bëjnë fakt të kryer tashmë që “Mesi do të rikthehet në kombëtare”. 29-vjeçari i dha fund karrierës së tij me Argjentinën më 27 qershor, i zhgënjyer nga humbja përballë Kilit, por mesa duket ka ndryshuar mendje. /Insajderi.com