Taulant Dajaku, Granit Kolshi, Gentrit Dumani, Liridon Ahmeti dhe Leonard Vitija janë zyrtarizuar si futbollistë të KF Prishtinës, të mërkurën, përmes një konference të mbajtur në ambientet e klubit kryeqytetas.
Nënkryetari i klubit Afrim Muçiqi u shpreh entuziast për arritjet e këtyre marrëveshjeve, duke thënë se tani Prishtina synon titullin e kampionit.
“Me kërkesën e shtabit teknik, jemi përforcuar ne disa reparte te nevojshme dhe me këto përforcime duke i bashkangjitur edhe kontingjentin tjetër te lojtarëve, Prishtina do ta synojë titullin”, tha nënkryetari Muçiqi.
Ai ndër të tjera paralajmëroi edhe disa përforcime të reja që pritet të mbërrijnë nga jashtë Kosovës ne ditët në vazhdim, të cilat i konsideroi si ‘bombastike’.
Edhe trajneri i klubit bardh-e-kaltër i vlerësoi pozitivisht prurjet e reja të skuadrës.
Por ai tha se Prishtina ka nevojë edhe për përforcime te reja që të kompletohet kontingjenti i skuadrës.
“ Duhet te pajtohemi me realitetin, ne kemi nevojë me u përforcu edhe me shumë që ta shtojmë konkurrencën në disa pozita”, shtoi ish-trajneri i Fushë Kosovës e KEK-ut.
Ndërsa njëri nga futbollistët më të mirë te pjesës vjeshtore te kampionatit, ish-lojtari i Drenicës Taulant Dajaku dhe portieri i zgjedhur si më i miri i sezonit që lamë pas, Granit Kolshi, u shprehën te lumtur qe iu janë bashkuar klubit më të madh kosovar dhe njëzëri u shprehën te bindur se Prishtina mund ta fitojë titullin e kampionit këtë edicion.
“Nëse ne arrijmë te nisim pjesën e dytë të kampionatit me një seri prej 5 apo 6 fitoreve ne mund të hyjmë seriozisht në luftë për titull”, u shpreh i rikthyeri në klub pas 8 vitesh, Taulant Dajaku.
Prishtina këtë stinor është duke zhvilluar një nga edicionet më të dobëta në histori të klubit, ajo pas 17 xhirove te zhvilluara mban vendin e 10 ne tabelë me 18 pikë, 13 më pak se kryesuesi dhe kampioni aktual, Ferronikeli.