Pas ikjes së Rashicës e Shalës, De Biasi fton mesfushorin e Luzernit

Pas ikjes së Rashicës e Shalës, De Biasi fton mesfushorin e Luzernit

De Biasi fton Jahmir Hykën në Kombëtaren shqiptare të futbollit. Mesfushori që luan në Superligën zvicerane pritet t’i bashkohet ekipit në ndeshjet eliminatore “Rusi 2018”.

Në valën e largimeve drejt Kosovës, De Biasi duket se nuk ka humbur kohë dhe ka afruar mesfushorin e Luzernës në radhët e kuqezinjve.

Në një lidhje telefonike për “Supersport”, tekniku italian vlerësoi se forma e mesfushorit ka ardhur në rritje në Zvicër.

“Shqipëria do të niset nga grupi që luajti në “Euro 2016″, por edhe nga lojtarë si Hykaj e Manaj. Hyka ka pasur një rendiment të shkëlqyer në Zvicër, ndërsa Manaj do të ketë mundësinë të luajë rregullisht dhe po rritet”, tha De Biasi.

Reagimi i tij vjen pas lajmit se Milot Rashica vendosi të luajë për përfaqësuesen e Kosovës.

Për këtë të fundit tekniku shprehu keqardhjen duke thënë se e kishte planifikuar si pjesë të kuqezinjve në ndeshjet eliminatore. Gjithashtu, De Biasi zbuloi se emri tjetër që i bashkohet Kosovës është edhe Herolind Shala.

Duke folur për vështirësitë për ndeshjet e Botërorit, De Biasi tha se: “Do të jetë një fushatë shumë e vështirë se kemi Spanjën dhe Italinë dhe vetëm një ekip kualifikohet”. /Insajderi.com