Arrestohet i dyshuari për vrasje të gazetares bullgare

Prokurori i Shtetit i Bullgarisë Sotir Cacarov ka konfirmuar arrestimin e të dyshuarit Serverin Krasimirov, shtetas bullgar, i cili ka dosje penale.

Arrestohet i dyshuari për vrasje të gazetares bullgare

I dyshuar për përdhunim dhe vrasje të gazetares hulumtuese Viktoria Marinova (30) është arrestuar në Gjermani, kanë kumtuar sot zyrtarët bullgarë.

Prokurori i shtetit Sotir Cacarov ka konfirmuar arrestimin e Severin Krasimirov, shtetas bullgar, por nuk ka dashur t’i zbulojë detajet, transmeton agjencia AP.

Ministri i brendshëm Mladen Marinov ka thënë se hetuesit kanë gjetur dëshmi të ADN-së në teshat dhe trupin e gazetares, të vrarë në shtunën në qytetin bullgar Ruse.

“Ekzistojnë prova fizike për lidhjen me vrasjen”, ka thënë Marinov.

Krasimirov, banor i qytetit Ruse, ka dosje penale për vjedhje të mbeturinave metalike.

Hetuesit kanë folur me familjen dhe miqtë e gazetares dhe “nuk ka ndërlidhje të qartë me punën e saj”, ka thënë Marinov.

Marinova ishte gazetare dhe redaktore në televizionin bullgar TVN dhe ka raportuar për korrupsionin e pretenduar të lidhur me fondet e Bashkimit Evropian.

Prokuroria bullgare ka kumtuar se i ka nisur hetimet të themeluara në dyshimin për keqpërdorim të fondeve të BE, derisa policia po e heton vrasjen e Marinovës.

Marinova muajin e kaluar e ka udhëhequr një emision mbi dy gazetarë hulumtues të cilët ishin të arrestuar për shkak të punës në bazë të pretendimeve të përvetësimit të fondeve të BE./Insajderi.com.