Ministri serb i dëshpëruar sepse Telekomi serb nuk mund të hyjë në telekomunikacionin shqiptar

Ministri serb i dëshpëruar sepse Telekomi serb nuk mund të hyjë në telekomunikacionin shqiptar

Ministri i tregtisë, turizmit dhe telekomunikimeve të Serbisë Rasim Ljajiq ka “vlerësuar” se deklarata e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama ku kundërshton që Telekomi i Serbisë ta merr Telekomin e Shqipërisë është “skandaloze”, duke pretenduar se “paraja nuk ka ngjyrë, kombësi e as racë”.

“Nëse e respektoni tregun dhe angazhoheni për parime të tregtisë së lirë, nuk mund ta diskriminoni një blerës për arsye politike. Çdo blerës është i mirëseardhur”, ka thënë Ljajiq për gazetën serbe “Politika” dhe ka shtuar se në rastin e Telekomit të Shqipërisë “janë futur disa kritere tjera”. Nëse futni disa parime tjera, atëherë kjo më nuk është ekonomi, por politikë, ka thënë Ljajiq duke përmendur se Telekomi i Shqipërisë nuk është pronë shtetërore, por bëhet fjalë për pronën e Deutsche Telekom-it gjerman.

“Ai bllokon shitjen e kompanisë e cila është në pronësi gjermane. Kur duhet blerë mallin serb të cilin ata nuk e kanë atëherë duhet të vendoset bashkëpunimi ekonomik, por jo edhe në sektorin e telekomunikimit. Kjo është skandaloze”, ka thënë Ljajiq.

Më herët Rama, duke folur për ofertën e Telekomit të Serbisë për blerje të Telekomit të Shqipërisë, ka thënë se nuk preferon që telekomunikimet në Shqipëri të bien në dorë të Serbisë./Insajderi.com.