Pranon vrasjen e gazetares bullgare: Më vjen shumë keq, nuk kam dashur

I dyshuari për përdhunim dhe vrasje të gazetares bullgare Viktoria Marinova ka pranuar vrasjen, por ka thënë se nuk ka pasur këtë qëllim.

Pranon vrasjen e  gazetares bullgare: Më vjen shumë keq, nuk kam dashur

Me pranga në duar dhe i rrethuar me policë, Severin Krasimirov 21 vjeç ka thënë deklaratë për gazetarë para gjykatës ku e kishin sjellë për dëgjim.

“Më vjen shumë keq. Nuk mund të besoj se çfarë kam bërë”, ka thënë Krasimirov për vrasje të Marinovës.

Mbrojtësi i tij ka kërkuar që dëgjimi të bëhet pas dyerve të mbyllura, por gjykata në qytetin Ruse hodhi poshtë këtë kërkesë. Pasi Krasimirov iu drejtua medieve, avokati iu afrua dhe i tha që të mos flasë, raportojnë mediet.

Para kësaj, Krasimirov ka thënë se më 6 tetor ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe drogave kur kishte hyrë në debat me në grua të cilën nuk e ka njohur. Ai ka thënë se e ka goditur në fytyrë dhe e ka gjuajtur në shkurre, por se nuk i kujtohet se çfarë ka ndodhur më pas.

“Çfarëdo të marrë, madje edhe nëse është burgimi i përjetshëm, unë do ta vuaj”, është përgjigjur ai në pyetje se çfarë dënimi meriton.

Trupi i Marinovës është gjetur afër Danubit në qytetin Ruse më 6 tetor. Hetuesit thonë se së pari ishte përdhunuar, pastaj e goditur në kokë dhe në fund e mbytur.

Për momentin, hetuesit kundërshtojnë pretendimet se gazetarja 30 vjeçe është vrarë për shkak të punës së saj, në mes tjerash për hulumtimin e pretendimeve për korrupsion./Insajderi.com.