A ka fituar apo humbur Kroacia me hyrje në BE?

Një anketë zbulon se çfarë mendojnë politikanët kroat për këtë ngjarje vendimtare pesë vjet pasi Kroacia është bërë anëtare e Bashkimit Evropian.

A ka fituar apo humbur Kroacia me hyrje në BE?

Prej 1 korrikut 2013, kur Kroacia u bë anëtare e 28 e BE dhe edhe formalisht iu bashkëngjitë familjes evropiane kanë kaluar pesë vjet, shumica e politikanëve kroat dhe partive politike në këtë vend mendojnë se gjatë kësaj periudhe Kroacia ka përfituar, por ka edhe prej atyre që mendojnë të kundërtën dhe pretendojnë se nuk kanë arsye për festë sepse gjatë pesë vjetëve të fundit në të vërtetë Kroacia degjeneroi.

Deputeti i parlamentit nga radhët e HDZ dhe kryetari i Këshillit për politikë të jashtme Mirko Kovaç thekson se Kroacia ka përfituar dhe shton se duhet të jenë krenarë se kanë hyrë në BE vetë. E jo si pjesë e të ashtuquajturës paketë e Ballkanit Perëndimor.

“Nga njëra anë, realizimi i lirisë, demokracisë dhe pavarësisë, ndërsa nga ana tjetër, hyrje në Bashkimin Evropian, për Kroacinë ishin dy anët e medaljes e cila i ka arritur të dyja, përkundër rrethanave shumë të rënda dhe të komplikuara, sepse brenda komunitetit tonë politikë kemi arritur të vendosim konsensusin e nevojshëm”, ka thënë Kovaç.

Ai gjithashtu thekson se për këtë kanë punuar të gjitha qeveritë e Kroacisë. “Mund të jemi krenarë që, në një mënyrë në momentin e fundit, kemi hyrë në Bashkimin Evropian më 1 korrik 2013. Kemi hyrë vet, përkundër pretendimeve se duhet të jemi pjesë e të ashtuquajturës paketë e Ballkanit Perëndimor.

“Pesë vjet pas hyrjes në familje evropiane, mund të konstatojmë se Kroacia ka përfituar politikisht”, ai shton se “Kemi shanse që Kroacinë ta shndërrojmë në një shoqëri kreative dhe konkurrente. Aleatë për këtë kemi, mjetet e Bashkimit Evropian i kemi në dispozicion”, thekson ky deputet duke e përkujtuar ndërtimin e urës së Peleshacit me mjetet e Bashkimit Evropian, pastaj qasje në hapësirën e Shengenit…

Deputeti i Parlamentit Evropian Tonino Picula thekson se shumica sot, pas 61 vjetëve të Marrëveshjes së Romës, bëjnë pyetje për vlefshmërinë historike të projektit evropian si dhe për perspektivën e tij. “Analistët precizë kanë llogaritur se çmimi i mirëmbajtjes së projektit të Evropës, për çdonjërin prej 510 milionë të evropianëve, kushton në ditë sa një filxhan kafe. Pajtohem me ata të cilët thonë se vërtet është çmimi i vogël i mirëmbajtjes së hapësirës së përbashkët të paqes dhe sigurisë, hapësirës së tregut të përbashkët, mundësisë së jetesës dhe punës në një hapësirë evropiane jo të madhe por të pasur”, ka thënë Picula.

Mirëpo, ai shton se BE sot është në krizë serioze e cila shënohet jo vetëm me dalje të Mbretërisë së Bashkuar nga BE, dhe pas shumë zgjerimeve, zvogëlimit të parë të BE-së, por edhe me presion të imigrantëve në kufijtë e tij të jashtme dhe të brendshme apo arritje të rëndë të marrëveshjes për ardhmërinë e BE.

Sot shtetet anëtare po ballafaqohen me vlerat themelore në të cilat qëndron BE, deri në atë masë saqë madje është duke u shqyrtuar edhe aktivizimi i nenit 7 të Marrëveshjes mbi BE-në kundër një anëtareje, Polonisë, për shkak të, siç ka konstatuar Komisioni, rrezikut të qartë të shkeljes serioze të sundimit të ligjit, ka thënë ai.

Lideri i partisë “Most” Bozho Petrov i kritikon pushtetarët sepse, siç thotë, hyrja në BE nuk ka shërbyer si trampolinë për reforma të domosdoshme.

“Hyrjen e Kroacisë në BE në vitin 2013 e kemi pritur, pas shumë vjetëve negociatash, si kthjellje. Shoqëria e shteteve të cilës iu kemi bashkangjitur na ka treguar gjithë realitetin e pozitës së Kroacisë. Për fat të keq, elitave qeveritare në Kroaci hyrja në BE nuk i ka shërbyer si trampolinë për reformat e domosdoshme. Përkundrazi, duke se ata mezi kanë pritur që proceset e filluara të ndalen. Dhe kjo na ka sjellë aty ku jemi sot, në fund të shkallës së shteteve evropiane. Njëkohësisht BE gjithnjë e më tepër po përdoret për arsyetime për lëshime, ndërsa qeveritarët, të majtë apo të djathtë, e përdorin BE si gogol për opinion”, thotë Bozho Petrov.

Përvjetori i pestë i hyrjes në BE është rasti i mirë që të shikohemi në pasqyrë dhe t’i caktojmë qartë caqet tona brenda BE si dhe përfitimet e mundshme nga anëtarësimi në atë bashkësi të shteteve, ka thënë Petrov.

“Duhet thënë qartë se nuk i kemi shfrytëzuar përparësitë të cilat na ofron anëtarësimi, se nuk jemi radhitur përkrahë vendeve të cilat kanë tendencë për më mirën, të cilat janë të gatshme për reforma të rëndësishme dhe kanë dëshirë për zhvillim. Edhe më tutje kemi mbetur të mbyllur në botën tonë të vogël, ku janë të mundshme krahasimet me vendet e Afrikës, e jo të Evropës”, përfundon lideri i “Mostit” Petrov.

Lideri i partisë “Zhivi Zid” Ivan Vilibor Sinçiq është i bindur se Kroacia nuk ka aspak arsye për t’u krenuar.

“Kroacia nuk ka asnjë arsye të krenohet që është më se pesë vjet në familjen e BE sepse gati në çdo kuptim ose kemi shkuar mbrapa ose kemi mbetur në pozitën e njëjtë prej kohës kur nuk kemi qenë anëtare e BE, gjegjësisht prej kohës kur kemi punuar në përgatitjet për hyrje në BE”, thotë Sinçiq.

Prej hyrjes në BE është shkatërruar prodhimi bujqësor, ndërsa importi i ushqimit, pikërisht nga vendet e BE shënon rekorde të reja derisa hapësirat rurale kroate janë gjithnjë e më të zbrazëta dhe nuk ka perspektivë.

“Kroacia po mbahet në nivelin në të cilin është, ekskluzivisht duke falënderuar turizmit, dhe kjo nuk ka shumë lidhje me BE sepse turizmi ka lulëzuar në Kroaci shumë kohë para BE-së, dhe ngjashëm ishte zhvilluar edhe po të kishim mbetur shtet sovran jashtë BE-së. Sikur të mos ishte turizmi, e gjithë Kroacia do të zbrazej me shpejtësi shumë më të shpejtë se që po zbrazet tani Sllavonia”, është i bindur lideri i “Zhivi Zid-it”.

Ai pretendon se Ideja e BE është eksploatimi i vendeve periferike nga ana e vendeve të zhvilluara në Evropën qendrore. “Kështu edhe Kroacia është vënë në pozitë ku hapësira jonë, burimet dhe të mirat po bëhen kapital në duart e huaja. BE është bashkimi i bankierëve dhe burokratëve, e jo të popujve dhe kulturës”, thotë Sinçiq.

Ai pyet se si një banor i një vendi të zhvilluar i BE dhe i Kroacisë mund të jenë në pozitë të barabartë. “Vendet e zhvilluara siç është Austria për shembull, jep shumë më pak kamatë në kredi, ka subvencione  kualitative, politikë të qartë bujqësore, ka shumë më pak korrupsion, e ka rrogën shumë më të madhe, kapital më të madh, ka efektin e zhvillimit ekonomik”, thotë ai.

Siç thotë Sinçiq, kur me gjithë këto përballet Kroacia e korruptuar, e prapambetur, e varfër dhe e paorganizuar, atëherë kjo është beteja paraprakisht e humbur dhe ne në BE mund të jemi vetëm gjah dhe shërbëtorë, e jo partner i barabartë.

“Kroacia nuk ka mundur t’i konkurrojë vendeve të zhvilluara të BE me politikanë vendorë të asaj kohe, kjo është e qartë, por përkundër kësaj ata kanë folur për njëfarë vëllazërie, shanset e përbashkëta dhe tregun e hapur për 500 milionë njerëz. Këto tregime i përsërisin edhe sot, ndërsa Kroacia po zhduket para syve tanë”, është i bindur politikani opozitar kroat Ivan Vilibor Sinçiq./Insajderi.com