“Blick”: De Biazi refuzoi klubin zviceran për Shqipërinë

“Blick”: De Biazi refuzoi klubin zviceran për Shqipërinë

Klubi i njohur zviceran i Sionit tentoi të punësonte si trajner të skuadrës së parë italianin Xhani De Biazi, por ky i fundit e refuzoi ofertën pasi preferoi të vazhdonte në krye të komëbtares shqiptare.

Kjo prapaskenë është zbuluar së fundmi nga mediat zvicerane, përkatësisht “Blick”, që ka raportuar se skuadra e Superligës së Zvicrës, në kërkim të një trajneri për ta drejtuar ekipin këtë sezon, tentoi të afronte teknikun e Shqipërisë.

Suksesi i De Biazit me kuqezinjtë, të cilët nën drejtimin e tij morën pjesë për herë të parë në fazën finale të një Europiani, nuk mund të kalonte pa u vënë re, dhe që prej arritjes së kualifikimit në EURO 2016, shumë oferta kanë mbërritur në drejtim të italianit.

Por Xhani De Biazi duket se nuk ka në plan të largohet nga drejtimi i Shqipërisë, pasi ka ende synime për të realizuar, shkruan Panroama Sport. Ndaj edhe pse një klub milioner si Sioni mund t’i ketë ofruar një pagë shumë më të lartë se ajo që i jep FSHF-ja, trajneri nuk është tunduar aspak.