Arlind Ajeti mungon kundër Maqedonisë

Arlind Ajeti mungon kundër Maqedonisë

“Shumë më serioz është rezultat i testeve të para mjekësore të lëndimit që ka pësuar Arlind Ajeti. Ai ka pasur një të therur të rëndë në kofshën e tij të djathtë, çka tregon se bëhet fjalë për një dëmtim të muskujve, shkalla e të cilit do të vlerësohet më mirë në ditët e ardhshme, duke përfshirë kohën e shërimit, e cila në çdo rast do të jetë më shumë se një muaj.” Kështu shkruan sot e përditshmja italiane, “La Stampa”, duke konfirmuar një lajm të keq për De Biazin dhe kombëtaren kuqezi.

Pra, Arlind Ajeti, qendërmbrojtësi që shkëlqeu në “Euro 2016”, nuk do të jetë i gatshëm as për miqësoren e 31 gushtit me Marokun, as për ndeshjen e parë kualifikuese në Grupin G, në kuadrin e “Rusia 2018”, më 5 shtator, ndaj Maqedonisë, në “Loro Boriçi”.

Një mungesë e madhe kjo, kur dihet se kapiteni Lorik Cana është pa ekip dhe pret vetëm lamtumirën me përfaqësuesen shqiptare.

Pra, në qendër të mbrojtjes De Biazi ka vetëm Mavrajn, ndërkohë që aty pritet të rreshtojë edhe Berat Gjimshitin, edhe pse ky i fundit nuk ka pasur hapësira aktivizimi tek Atalanta, madje përflitet se kërkon të kalojë te Krotone, me qëllim që të aktivizohet. Po ashtu, ikja e Amir Rrahmanit drejt Kosovës e nxjerr zbuluar këtë rol në përfaqësuesen kuqezi kësaj here.