Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur se konvojet me ndihma kanë arritur pesë zona të rrethuara të Sirisë.
Kamionët me ushqim dhe pajisje mjekësore për rreth 100,000 njerëz kanë arritur fshatrat Madaja, Muadamija dhe Zabadani, që kontrollohen nga rebelët, si dhe fshatrat Foah dhe Kefraja që kontrollohen nga forcat pro-qeveritare të Sirisë.
Sipas OKB-së, afro gjysmë milioni njerëz jetojnë në zona të rrethuara të Sirisë.
Dërgesat janë pjesë e një marrëveshjeje, të miratuar nga fuqitë botërore, e cila parashikon një ndërprerje të kufizuar të armiqësive në Siri më 19 shkurt.
Por, ofensivat e forcave qeveritare siriane dhe të milicive kurde në zonat e kontrolluara nga rebelët kanë zbehur shpresat për armëpushim.